Skenat ribëhen, tapiceritë rivishen, fasadat përmirësohen, por kujtesa kurrë nuk arnohet

Skenat ribëhen, tapiceritë rivishen, fasadat përmirësohen,

Tinka Kurti duke recituar "O Moj Shqypni" në Teatrin Popullor të Sarajevës, 14 shtator 2018. Pas shpinës së saj punëtorët e skenës po bëjnë përgatitjet për shfaqjen e re. Në atë skenë ka luajtur dikur mëma e saj, kushedi kush para mëmës së saj, po luan ajo këtë ditë, do të luajnë kushedi edhe sa breza të tjerë. Teatri do të rrafshohet ndoshta kushedi kur nga fuqi mbinjerëzore, por jo nga njeriu. Njeriu e ruan historinë. Zëri I saj në këtë sallë që do të mbushet shpejt, më ngjau me korin e tragjedive të vjetra... që rrëqethin me thirrjen për kujtesë. Muret e vjetëruar forcohen, skenat ribëhen, tapiceritë rivishen, fasadat përmirësohen, por kujtesa kurrë nuk arnohet.

O Moj Shqypni

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush te ka qitë me krye n'hi? 
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë. 
Ke pasë shumë t'mira e begati,
Me varza t'bukura e me djelm t'ri, 
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina, 
Me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira....
...Por sot, Shqypni, pa m'thuej si je? 
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet 
E nji fjalë t'ambël askush s'ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule 
Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
E s'të ka mbetun as em'n as besë; 
Vet e ke prishun për faqe t'zezë.
Shqyptar', me vllazën jeni tuj u vra, 
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda...
... E për sa pare qi do t'fitoni,
Besën e t'parëve t'gjith e harroni, 
Baheni robt e njerit t'huej,
Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej. 
Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog ndër leqe! 
Qani ju trima bashkë me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n'dhe! 
E s'i ka mbetun as bukë as mish,
As zjarm në votër, as dritë, as pishë; 
As gjak në faqe, as nder ndër shokë,
Por asht rrëxue e bamun trokë! 
Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
M'ata sy t'bukur q'dini me qa, 
Eni t'vajtojmë Shqypninë e mjerë,
Qi mbet' e shkretë pa em'n, pa nder...


EMISIONET