Ministria e Energjitikës ka hapur garën për dhënien me koncesion të Termocentralit të Vlorës për 20 vite.

Kompania private që do të kualifikohet do të duhet të investojë 58 milion euro.

Analisti, Gjergj Erebara, thotë se projekti i TEC Vlorës ishte me defekt që në ndërtim edhe pse u shpenzuan 100 milion euro.

Erebara: U konceptua në një kohë tjetër, kur në Shqipëri nuk kishte akoma lidhje energjitike për tu importuar energjia elektrike. U konceptua në një kohë kur çmimi i naftës ishte 30 dollarë për fuçi, në 2004. Kur përfundoi së ndërtuari, çmimi i naftës në 2009 ishte 70-80 dollarë për fuçi. Përveç kësaj, pati një defekt në prokurorimin e organizuar nga Banka Botërore.

Erebara shpjegon se Shqipëria do të kishte më shumë interes që të importonte energjinë sesa të prodhohej në TEC Vlora.

Erebara: Një nga arsyet se pse nuk është këmbëngul shumë për ta vënë në punë është dhe fakti se kostoja e prodhimit të energjisë elektrike me atë Temrocentral është jo shumë efikase në raport me koston e importit të energjisë elektrike.

Edhe opozita e kritikoi dhënien me koncesion të Termocentralit të Vlorës. Sipas deputetit, Agron Shehaj, tenderi po bëhet me transparencë zero pasi nuk ka studim fizibiliteti dhe asnjë dokument tjetër vlerësimi për kostot, ndërsa e cilëson pothuajse të pamundur pjesëmarrjen në garë të kompanive të huaja.

Por Ministria e Energjisë ka sqaruar se në bashkëpunim me konsulentët e Roland Berger është përgatitur Studimi i Fizibilitetit me të gjitha opsionet që shtrohen në diskutim për ti dhënë zgjidhje ngërçit të Termocentralit të Vlorës.

Vepra u ndërtua nga një kompani italiane e quajtur “Technimonti” dhe erdhi si një ide e Bankës Botërore e cila organizoi edhe procedurat e tenderit.


/Ora News.tv/