Çlirim Gjata, në cilësinë e juristit por edhe të ish-kreut të KQZ-së, e cilëson një skandal falsifikimin e firmave nga Bindja Demokratike për regjistrimin në Gjykatë dhe më pas në KQZ.

I ftuar në RTV Ora, Gjata thotë se kjo është një shkelje penale dhe përgjegjës për këtë bën gjyqësorin.

Çlirim Gjata: Çështja e ngritjes së kësaj partie dhe regjistrimit të saj në Gjykatë dhe KQZ më bën ta shikoj në dy këndvështrime si jurist dhe ish-drejtues i KQZ-së, atë teknik dhe politik. Firmat duhet ti kishte verifikuar gjykata jo KQZ, sepse këta nuk janë kandidatë për këshilltarë, deputetë apo kryetarë bashkie.Këta persona janë themeluesit e një partie të caktuar. Deri sa ligji thotë duhen minimumi 3000 firma për tu themeluar.Gjithë dokumentacioni depozitohet në gjykatë, një nga këta po mungoi ta kthen mbrapsht gjykata ta plotësosh ose të rrëzon kërkesën dhe thotë paraqite një herë tjetër.Problemi këtu është se u krijua brenda dy ditëve.Brenda ditës u dërgua kërkesa në gjykatë, u hodh shorti, gjyqtari i verifikoi të gjitha këto, dha vendimin, u zbardh vendimi, shkoi në KQZ dhe u regjistrua.Nuk di nëse ka administratë më të shpejtë që të bëjë këtë punë.Cilit qytetar i ofrohet ky shërbim? Kam përdorur një shprehje: Të kesh Zotin mik është kollaj me qenë i shenjtë.Të kesh Edi Ramën mik i bën të gjitha këto. Kur i verifikoi gjyqtarja 3000 firma brenda ditës?!

Po cila është rruga që duhet të ndiqet më tej?

Çlirim Gjata: Kjo çohet në Kolegjin Zgjedhor dhe çregjistrohet, një parti e ka ankimuar. Por kjo është çështje penale, se ke falsifikim.Ai që e ka bërë duhet të përgjigjet.

Çlirim Gjata shton më tej se Bindja Demokratike nuk mund të bëhet pjesë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit me këto shkelje ligjore.

Çlirim Gjata: Absolutisht nuk mund të hyjë në zgjedhje. Kjo iu desh Edi Ramës dhe ja ku jemi, nuk fshihet minarja në thes. Politikisht nuk ka vlerë të madhe kjo si parti. Ja ku e ka opozitën e falsifikuar Kryeministri. Kryeministri po krijon grupe parlamentare në Kuvend, po krijon opozitë jashtë parlamentit. Nuk krijohet opozita. Edi Rama ka nevojë të krijojë këto gjëra, më vjen keq për emra të caktuar që përfshihen në këto broçkulla. Nuk kishte pse ti hynte kësaj gjëje, se kanë ndodhur dhe më parë.Nuk kemi Prokurori ndaj dhe nuk kanë frikë ata që i bëjnë këto gjëra.

/Ora News.tv/