S'ka Gjykatë Kushtetuese, 5515 ankesa nga qytetarët te Avokati i Popullit

Mungesa e Gjykatës Kushtetuese, e ardhur si pasojë e reformës në drejtësi ka sjellë një sërë problematikash për qytetarët. 

Vetëm për 4 muajt e parë të vitit 2019 janë regjistruar 5515 ankesa pranë Avokatit të Popullit nga qytetarët, të orientuara kryesisht ndaj administratës publike, e ndjekur më pas nga seksioni i fëmijëve.

Në raportimin vjetor të analizës së këtij institucioni në Komisionin e Ligjeve, Avokati i Popullit Erinda Ballanca nënvizoi se reforma në drejtësi nuk po ecën sipas afateve të përcaktuara në ligj.

Erinda Ballanca: Në krye të listës së problemeve të të drejtave të njeriut në institucionin tonë mendojmë se është mungesa e një sistemi efektiv drejtësie për të garantuar të drejtat e njeriut. Mungesa e një Gjykate Kushtetuese efektive dhe mungesa e një Gjykate të Lartë efektive kanë qenë problemi thelbësor në garantimin e të drejtave të njeriut në vend dhe mbetet në vijim edhe përgjatë këtij viti.

Në raportimin e tij Avokati i Popullit bëri me dije se problematikat e ngritura kanë pasur të bëjnë kryesisht me të drejtat e personave të privuar nga liria, ku ende mbetet problem çështja e trajtimit dhe shërbimi mjekësor në burgje.

Erinda Ballanca: Nuk është gjetur një zgjidhje përfundimtare për të përgatitur, për të adresuar një ambjent spitalor jashtë ambienteve të burgjeve për personat që kanë marrë masa nga gjykata për mjekim të detyruar.

Deputeti, Spartak Braho, kërkoi më tepër angazhim nga Avokati i Popullit edhe për emigrantët.

Spartak Braho: Avokati i Popullit duhet të rrisë angazhimin e tij publik në mbrojtje të interesave të shtetasve edhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë si dhe njësitë ekstra-territoriale ku zbatohet legjislacioni shqiptar.

EMISIONET