Në enklavën e Goutas Lindore në Siri vazhdojnë luftimet dhe vrasjet, pavarësisht marrëveshjes për armëpushim, thanë Shtetet e Bashkuara.

“Regjimi sirian dhe mbështetësit e tij rusë dhe iranianë vazhdojnë të sulmojnë Goutan Lindore, një lagje me popullsi të dendur pranë Damaskut, pavarësisht armëpushimit të thirrur nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së”, tha në një postim në Twitter zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert.

“Regjimi thotë se po lufton terroristët, por ai po terrorizon qindra-mijëra civilë me sulme ajrore, artileri dhe raketa”, tha ajo.

“Përdorimi i gazit të klorit si armë vetëm se rrit mjerimin e popullsisë civile”, tha Nauert, duke iu referuar dyshimeve se ushtria siriane ka kryer një sulm kimik në Goutan Lindore, në fundjavë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, po ashtu bëri thirrje për “fundin e menjëhershëm” të sulmeve në Siri.

Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, tha të hënën se presidenti Vladimir Putin ka urdhëruar “pauzë 5-oreshe humanitare” në Gouta, nisur nga sot.

Shoigu tha se korridori humanitar do të hapet për t’iu mundësuar civilëve të largohen nga zona e luftimeve.

Vendimi vjen pas një jave të bombardimeve intensive në Goutan Lindore, ku, sipas aktivistëve, kanë mbetur të vrarë mbi 500 njerëz./REL

/Ora News.tv/