Forcat qeveritare të Sirisë kanë vazhduar sulmet ajrore në enklavën e Goutas Lindore, e cila kontrollohet nga rebelët, pavarësisht një rezolute për armëpushim që ka miratuar Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të shtunën.

Qindra njerëz kanë vdekur në një javë bombarime në enklavën që ndodhet pranë kryeqytetit Damask.

Sulmet e fundit përfshijnë edhe një ofensivë tokësore.

Duke folur në telefon me presidentin rus, Vladimir Putin, kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, kërkuan ndihmë për zbatimin e rezolutës së OKB-së.

Me këtë rezolutë është rënë dakord që të lejohen dërgesat e ndihmave dhe evakuimet mjekësore, por armëpushimi nuk i mbulon operacionet kundër grupeve të mëdha xhihadiste.

Gouta Lindore është zona e fundit e madhe që kontrollohet nga rebelët sirianë.

Rusia, që nga fillimi i luftës në Siri në vitin 2011, i ka ofruar mbështetje politike dhe ushtarake qeverisë së presidentit Bashar al-Assad./REL

/Ora News.tv/