Sinjale pozitive për negociatat

Sinjale pozitive për negociatat

Komisioni i Jashtëm i parlamentit holandez dëgjoi argumentet e deputetëve shqiptarë për çeljen e negociatave të anëtarësimit. Gjatë një seance dëgjimore u vlerësua dhe bashkëpunimi efikas për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kur mbetet edhe pak kohë nga prezantimi i progres raportit për Shqipërinë, sinjale pozitive vijnë edhe nga Gjermania.

Përveç qeverisë edhe Parlamenti i Shqipërisë po shton përpjekjet për të nxitur vendet skeptike të miratojnë çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë në qershor.

Kështu komisioni për çështjet e BE-së në Parlamentin e Holandës zhvilloi një seancë dëgjimore me delegacionin e Kuvendit të Shqipërisë. Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, por dhe deputetët Taulant Balla e Rudina Hajdari theksuan se Shqipëria e meriton çeljen e negociatave.

Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, deputetet holandezë vlerësuan bashkëpunimin efikas të qeverisë shqiptare me qeverinë e Holandës për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndërkohë në lidhje me Rezolutën e Parlamentit holandez për rivendosjen e vizave, deputetët e komisionit pranuan se veprimi ishte sensibilizues për nxitjen e luftës kundër krimit.

I pranishëm në takimet e deputetëve shqiptarë në Parlamentin holandez ishte dhe ministri i Shtetit dhe ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer.

Ai u shpreh optimist për çeljen e negociatave dhe theksoi se vështirësitë për Shqipërinë vijnë për shkak të frymës populiste e kundër zgjerimit në BE.

Përveç Holandës sinjale pozitive ka edhe nga Gjermania. Ditë më parë, qeveria gjermane i kërkoi Budenstagut të miratojë çeljen e bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Michael Roth, Sekretari i Shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme gjermane, tha përmes një letre se “qeveria federale është e mendimit që Komisioni i BE-së do të japë një rekomandim pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.”

Ndërsa në një intervistë për revistën Der Spigel, Michael Roth thekson se Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë për në BE dhe meriton njohjen e arritjeve. Nga ana tjetër ai dënon dhunën dhe bojkotimin e zgjedhjeve nga opozita dhe thekson se ajo po rrezikon integrimin me “politikën e saj penguese”.

EMISIONET