Sindikatë për mbrojtjen e punonjësve në Call Center

Sindikatë për mbrojtjen e punonjësve në Call Center

Pas problemeve me kompaninë Alba Call, është krijuar sindikata në mbrojtje të punonjësve të Call Center. Një grup të rinjsh, njëherësh edhe punonjës të këtyre kompanive kanë bërë të mundur njohjen e kësaj sindikate, pas gati 5 muajsh pas kërkesës që kishin nisur në gjykatë.

Irdi Ismaili: "Vështirësia kryesore për njohjen e sindikatës ka qenë nga Gjykata. Kemi dorëzuar dokumentet për herë të parë në 21 shkurt. Më 17 shkurt jemi themeluar. Gjykatësja na ka zvarritur për rreth 2 muaj dhe pastaj na ktheu përgjigje duke kërkuar dokumentacion shtesë, të cilin nuk e parashikon ligji. Ia dërguam edhe dokumentacionin shtesë dhe na ktheu përgjigje duke thënë se ajo përgjigja që ju dhashë nuk ishte për dokumentacionin shtesë, ishte refuzim. U detyruam ta dërgonim dokumentacionin nga fillimi dhe para disa ditësh na ktheu përgjigje pozitive ku na thanë se është njohur ligjërisht sindikata."

Irdi Ismaili thotë se kompanitë e Call Center kanë problematika nisur që nga mos pagesa e orëve shtesë, refuzimi i bonuseve të merituara, e deri te punësimi pa kontrata.

Irdi Ismaili: "Kanë problematika specifike në Kodin e Punës si vonesat në rrogë, kushtet e brendshme, higjena. Kemi call center-at e vegjël që nuk kanë as kontrata."

Ismaili thotë se me anë të sindikatës do të mund të ushtrojnë të drejtën e grevës në rast se kërkesat e tyre nuk plotësohen.

Irdi Ismaili: "Me njohjen ligjore të sindikatës kemi një ndihmë më shumë, një levë më të fortë për të përdorur për arritjen e qëllimit tonë."

Në ditët e para të muajit korrik punonjësit e kompanisë Call Center “Alba Call”, kanë ngritur shqetësimin për mohimin e bonuseve.

EMISIONET