Sindikata: Naftëtarëve t’u jepet statusi, të hetohet privatizimi i ARMO-s

Sindikata: Naftëtarëve t’u jepet statusi, të hetohet

Ndërsa kompania IRTC ka njoftuar largimin nga menaxhimi i rafinerive të naftës në Fier dhe Ballsh, Sindikata e Naftëtarëve, kërkon që para se qeveria të zgjidhi çështjen për vazhdimësinë e mëtejshme të ARMO-s, të fillojë dhënien e statusit të naftëtarit për 1200 punonjësit. Kreu i Sindikatës, Taf Koleci, pohon se pagesa e papunësisë që propozon qeveria nuk është zgjidhje, për më tepër që më shumë se gjysma e punonjësve të naftës në Ballsh dhe Fier nuk mund ta përfitojnë as ligjërisht.

Taf Koleci: “Pavarësisht rrugëve të zeza që është privatizuar nafta, shteti ka borxhe karshi naftëtarëve. Zgjidhja tani është që menjëherë të fillojë dhënia e Statusit për të gjithë naftëtarët e Ballshit dhe Fierit. 70 për qind e tyre kanë tokë dhe nuk mund të përfitojnë statusin e papunësisë. Ne po çojmë një listë të 1200 punonjësve në Ministrinë e Energjisë” 

Sipas sindikatës, duhet të hetohet gjithë çështja e privatizimit të ARMO-s, dhe të gjendet një zgjidhje tjetër për menaxhimin e rafinerive, pasi largimi i kompanive private nuk lidhet me vështirësitë financiare. Koleci thotë se ARMO duhet të rivihet në punë, me mbikëqyrjen e ekspertëve nga gjykata.

Taf Koleci: “Dëshira jonë është për ta zbardhur dhe për ta mbyllur njëherë e mirë këtë korrupsion galopant dhe këtë gropë të zezë të ekonomisë shqiptare. Në naftë nuk ka kompani që nuk ka fitim, por të gjitha këshu kanë shkuar nga 1 vit, 1 vit e gjysmë, 2 vjet maksimumi dhe kur e kanë parë vetën shtrenjtë që nuk kanë paguar tatimet, sigurimet japin falimentin. Ne kemi kërkuar që kompania të rivihet në punë nën mbikëqyrjen me ekspert nga gjykata dhe t’i futet në themel kontrolli. Prokuroria patjetër që duhet ta hetojë që nga momenti i privatizimit e deri në ditët e sotme”      

Kompania ARMO ka ndërruar disa pronarë dhe ndër vite punonjësit kanë 14 paga të pashlyera nga kompanitë private, të cilat nuk kanë derdhuar as pagesat për sigurimet shoqërore, duke u rrezikuar edhe pensionin.

EMISIONET