Marrë shkas nga dëmet e mëdha në qarkun e Korçës si pasojë e goditjes nga tërmetet, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka pasqyruar mundësinë për sigurimin e pronës, si një akt mjaft e mirë për t’u mbrojtur nga rreziqet dhe dëmet natyrore.

"Një ndër mundësitë që ofron tregu i sigurimeve është edhe mbrojtja nga ngjarjet e vështira natyrore, të cilat mund të sjellin pasoja edhe në pronën e qytetarëve apo bizneseve. Sigurimi i pronës është një nga konceptet e reja që ka hyrë në marrëdhëniet financiare të qytetarëve me pronën e tyre. Kjo, në shumicën e rasteve, është e lidhur edhe me detyrimet e kërkuara nga marrëdhëniet me bankat, për kreditë që merren nga qytetarët për blerjen e banesave" thuhet në njoftim.

Duke analizuar të dhënat e shoqërive që veprojnë në tregun e sigurimeve, vihet re se ritmet e rritjes së sigurimit të pronës nga zjarri dhe rreziqe të tjera shtesë, në vitin 2018 ka qenë mbi 9 % krahasuar me vitin 2017.

Ky ritëm rritjeje është si për numrin e kontratave të nënshkruara ashtu edhe për volumin e primeve të shkruara bruto. Grafiku pasqyron ecurinë e volumit të primeve të shkruara bruto për periudhën 2014-2018.

Edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2019 janë lidhur 10459 kontrata për sigurimin e pronës, të cilat janë kryesisht për apartamente banimi. Treguesit statistikorë për tremujorin e parë të vitit 2019 japin një rritje prej 6.88% të numrit të kontratave të lidhura në periudhën janar – mars 2019, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Specialistët e tregut të sigurimeve vlerësojnë se faktorët që merren parasysh, kur sigurohet një pronë, lidhen me:

-Shumën e siguruar (vlera e apartamentit/biznesit);
-Llojin e pronës, ku ndarja mund të jetë në objekte industriale, hotele dhe restorante, dyqane dhe qendra tregtare, zyra administrative, etj.;
-Gjendjen fizike të pronës, viti i ndërtimit, masat e sigurisë, vendndodhja e saj, shqyrtimi i historikut të dëmeve të objektit të siguruar, etj.

Nga analiza e informacioneve të marra nga shoqëritë e sigurimit, vlerësohet se ndër objektet e siguruara, 75% e tyre i takon shtëpive të banimit dhe 25% e godinave të siguruara janë objekte biznesi.

/Ora News.tv/