Siguria e aeroportit të Rinasit dhe mosveprimi i institucioneve të sigurisë!

Siguria e aeroportit të Rinasit dhe mosveprimi i institucioneve të

Do të doja realisht të ishte e vërtetë deklarata e Ministrit të Brendshëm, i cila pasi u përpoq të na bindë se fajin për çfarë ndodhi me grabitjen e rradhës prej një grupi kriminal në aeroportin e Rinasit e ka kompania konçensionare kineze që administron aeroportin, në epilogun e apologjisë së vet, konkludoi me fjalinë: “siguroj qytetarët dhe gjithë operatorët që përdorin aeroportin e Rinasit që me masat emergjente të marra dhe të tjera që janë në proces, siguria në këtë aeroport është plotësisht e garantuar”.

Mirëpo jo vetëm precedenti, por as historia nuk i jep të drejtë ministrit, i cili, shumë më mirë prej shumkujt tjetër, e di se çfarë është grabitja me armë në një avion që gjendet në pistën e aeroportit, siç e di po aq mirë që ngjarja nuk ka të bëjë vetëm me kompaninë konçensionare!

Unë që e njoh dhe që ia çmoj zotësitë, e di shumë mirë, që ai ka tjetër qasje e tjetër bindje për kësi rastesh!

Por le t’i referohem asaj që ai thotë, e jo asaj që ministri do të duhej të thoshte.

Sepse, nëse është siç thotë ministri, që “...koncesionari dhe kontraktori i zgjedhur prej tij, që përgjigjet për sigurinë fizike të aeroportit, nuk kanë arritur të zbatojnë standardet e detyrueshme të sigurisë, që përcaktohen nga legjislacioni vendas dhe nga Organizata Botërore e Aviacionit Civil (ICAO)”, çfarë kanë bërë institucionet e shtetit e ndër to edhe Ministria e Brendëshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, që kanë për detyrë të kontrollojnë e kur konstatojnë se “nuk kanë arritur të zbatojnë standardet e detyrueshme të sigurisë”, të marrin masa ndëshkuese deri në penalitete ekstreme ndaj subjektit që rezulton në shkelje të ligjit?!

Apo, vetëm pasi ndodhi grabitja u evidentuan shkelje në aplikimin e standardeve të sigurisë?!

Nëse është e vërtetë ajo që thotë ministri se “...konçesionari jo vetëm që ka refuzuar zbatimin e kërkesave të shumta dhe të herëpashershme të Policisë së Shtetit për marrjen e masave në drejtim të sigurisë fizike, por në shumë raste as nuk ka denjuar të kthejë qoftë edhe përgjigjet formale për korrespondencën përsëritur zyrtare”, pse nuk është ndërhyrë më parë, madje që në rastin e parë të refuzimit për bashkëpunim, me qëllim që të evitohej ngjarja e rëndë (për fat të keq e përsëritur për të disatën herë!!!), por është lejuar që sot ministri të na thotë se: “ në shumë raste as nuk ka denjuar të kthejë qoftë edhe përgjigje!”

Pra, thjeshtë dhe vetëm duke lexuar deklarimet “shfajësuese” apo thënë më “lehtë” justifikuese të ministrit, mund të gjesh edhe plot argumenta të tjerë që nxjerrin zbuluar në rastin më të mirë, mosveprimin e institucioneve të shtetit, paaftësia e të cilave nuk mund të mbulohet duke artikuluar fajet e kompanisë konçensionare.

Ngjarja është shumë e rëndë. Krimi e sfidoi shtetin aty ku siguria do të duhej të ishte maksimale. Dhe e bën këtë në mënyrë të përsëritur!

Ngjarja provoi se nuk funksionoi asnjë hallkë në zinxhirin e institucioneve të sigurisë. E ketë të vërtetë, ministri e ka për detyrë ta pranojë. Ta pranojë dhe të ndihmojë edhe të tjerët në qeverinë e tij të kuptojnë rrisqet e mosveprimit ndërinstitucional në kësi rastesh.

Sepse mosveprimi, në rastin më oportun është shpërdorim detyre, por mund të jetë edhe bashkëpunim me kriminelët që sulmuan aeroportin! E në këtë kontekst, ministri duhet ta dijë që detyra e parë e Policisë së Shtetit është parandalimi i veprimtarisë kriminale, dhe efektiviteti i parandalimit nuk mund të kushtëzohet prej vullnetit të kompanisë konçensionare!

Për sa kohë që nuk ka një reagim shtetëror e ndërkohë që eksponentë publikë e politikë të maxhorancës shprehen se “ sa mirë që nuk ishin terroristë që të rrëmbenin avionin”, aeroporti ndërkombëtarë i Rinasit nuk mund të jetë i sigurtë!

Këtë na e dëshmon precedenti, por këtë na thotë edhe historia e pesë viteve të fundit të aeroportit ndërkombëtar të Rinasit!

EMISIONET