Si paralizoi qytetin me 18 milionë banorë një aksident rrugor

Për më shumë se një javë, Bangladeshi është 'pushtuar' nga protesta masive të shkaktuara nga vdekja e dy fëmijëve në një aksident rrugor.

Demonstruesit, shumica prej të cilëve të rinj, po kërkojnë që qeveria të ndërmarrë veprime për të përmirësuar sigurinë në rrugë.

Protestat kanë çuar në dhunë në rrugët e kryeqytetit Dhaka, shtëpia e 18 milionë banorëve.

Çfarë e nxiti protestën?

Më 29 korrik, dy nxënës në Dhaka , një djalë dhe një vajzë, u përplasën për vdekje nga një autobus që po ecte me shpejtësi të lartë.

Shoferi mendohet se ka humbur kontrollin e automjetit ndërsa po garonte me një autobus tjetër për të marrë pasagjerët.

Aksidenti mund të kishte kaluar si një ngjarje e përditshme në një qytet ku trafiku është shumë i rrezikshëm dhe në një vend ku më shumë se 4000 këmbësorë u vranë gjatë aksidenteve rrugore vitin e kaluar.

Por në vend të kësaj, ngjarja nxiti zemërime që u përhap në mediat sociale dhe më pas çoi në një valë proteste studentore.

Dhjetëra mijëra nxënës dolën në protestë, duke bllokuar rrugët dhe kryqëzimet dhe çuan në paralizimin e qytetit.

Protestuesit ndaluan kamionë, autobusë dhe makina, duke kërkuar shoferëe patentat dhe të kontrollonin nëse automjetet ishin të mirëmbajtur.

"Të gjithë ne duam që korrupsioni të zhduket dhe patenta të mos merret si karamele,"-tha një 17-vjeçar për BBC.

Si u kthye në protestë të dhunshme?

Protestat, të rralla për Bangladeshin, vazhduan me ditë ku mijëra nxënës dhe studentë paralizuan kryeqytetin.

Shërbimet e autobusëve në qytet dhe rrugët e tjera të vendit u anuluan.

Të shtunën, policia njoftohet se përdori gaz lotsjellës dhe shkopa gome, duke plagosur shumë të rinj, megjithëse autoritetet e mohuan këtë.

Ka pasur gjithashtu përleshje mes protestuesve dhe grupeve pro-qeveritare, që thuhet se janë anëtarë të Lidhjes Chhatra të Bangladeshit (BCL), një organizatë studentore e lidhur me partinë në pushtet të Lidhjes Awami.

BCL u fajësua edhe për sulmet ndaj gazetarëve, përfshirë shkatërrimin e telefonave dhe kamerave, të cilat gazeta Daily Star i quajti një "shkelje të dënueshme" të lirisë së shtypit.

Në mes të dhunës, njerëzës të armatosur sulmuan kolonën e makinave ku ndodhej ambasadori amerikan të shtunën në mbrëmje.

Si u organizuan vetë studentët?

Me lëvizjen e protestës pothuajse tërësisht të nxitur nga të rinjtë, nuk është befasuese që mediat sociale kanë luajtur një rol kyç, si në shpërndarjen e lajmit për dy nxënësit e vrarë në aksident, ashtu edhe për organizimin e demonstratave.

Aktivistët gjithashtu kanë përdorur mediat sociale për ti bërë thirrje mediave lokale dhe ndërkombëtare për të mbuluar ngjarjen.

Cila ka qenë përgjigja?

Qeveria ka premtuar të shqyrtojë reformat mbi sigurinë rrugore për të adresuar shqetësimet e studentëve dhe të hënën qeveria miratoi një Akt të ri të Transportit Rrugor. 

Por zyrtarët e kanë bërë të qartë se duan që protestat, të cilat kanë turpëruar qeverinë e Shejh Hasinës, të përfundojnë menjëherë. 

Qeveria bllokoi shërbimet e internetit 3G dhe 4G për një periudhë të shtunën në mbrëmje, në përpjekje për të ndërprerë komunikimin mes protestuesve për të organizuar dhe ndarë veprimet e tyre.

Hasina të dielën u bëri thirrje studentëve të shkonin në shtëpi.

Partia e saj Lidhja Awami ka mbrojtur gjithashtu veprimet e aktivistëve të partisë të akuzuar për dhunë.

Kombet e Bashkuara thanë se ishin të shqetësuar për sigurinë e të rinjve të kapur në protesta.

Ambasada e SHBA në Bangladesh ka kritikuar gjithashtu reagimin e policisë ndaj protestave.





EMISIONET