Të gjithë ata qytetarë që zotërojnë një letër me vlerë ose bono privatizimi do të kenë mundësi që ta përdorin atë deri në fund të vitit 2021.Komisioni i Ekonomisë shtyu afatin për përdorimin e tyre duke i dhënë më shumë mundësi qytetarëve për ti përdorur në procesin e legalizimeve. Kreu i Komisionit të Ekonomisë, kërkoi që ALUIZNI ti kushtojë më shumë vëmendje përdorimit të tyre.

Shtyhet afati i përdorimit të letrave me vlerë deri në fund të vitit 2021. Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi ligjin vetëm me votat e maxhorancës.

Zv/Ministri i Financave, Erjon Luçi, deklaroi se shtyrja e afatit ka synim rritjen e përdorimit të tyre në proçesin e legalizimeve i cili mbetet modest.

Erjon Luçi: Në fund të këtij viti edhe bonot e privatizimit prapë skandojnë në aspektin e  vlefshmërisë së tyre por duke pasur parasysh për përdorimin e tyre që mund të vazhdojë sidomos për lehtësimin e kompensimit të ish-pronarëve për truall nëpërmjet ALUIZNI-t.

Por kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, kërkoi që institucionet përkatëse që merren me legalizimet ti përdorin më shumë letrat me vlerë.

Erjon Braçe: Nuk kam dëgjuar gjë nga ALUIZNI që tu thotë njerëzve, prit se një pjesë të pagesës mund ta bëni … Madje nuk e pranon sepse është shumë e interesuar të marrë lekë, të arkëtojë para.

Deputeti, Anastas Angjeli, argumentoi se u bë 23 vite që shtyhet afati për përdorimin e bonove por rezultatet mbeten të njëjta.

Anastas Angjeli: Meqenëse jemi sot po për të njëjtën histori, unë them ta bëjmë tre vjet, deri në fund të mandatit të kësaj qeverie. E dyta, Ministria e Financave dhe Ekonomisë në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë të bëjë një program masash sesi do ta përcjellin kërtë vendim tek institucionet dhe qytetari që përfiton nga kjo.

Sipas ligjit bonot e thesarit janë të vlefshme në procesin e privatizimit të objekteve shtetërore dhe në legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje.

Ish- pronarët e truallit që gëzojnë të drejtën e parablerjes pagesën për objektin apo ndërmarrjen që privatizohet duhet ta kryejnë 20 % me lekë dhe 80 % me bono privatizimi.

Sipas të dhënave zyrtare, në total janë emëtuar 74.9 miliardë lekë bono privatizimi, prej të cilave u janë shpërndarë publikut 51.2 miliardë lekë.



/Ora News.tv/