Shtrenjtohen ushqimet, korriku shënoi kulmin

Shtrenjtohen ushqimet, korriku shënoi kulmin

Edhe pse jemi në kulmin e sezonit të prodhimeve bujqësore gjatë muajit korrik nëngrupi fruta dhe perime pësuan rritjen më të madhe të çmimeve.Ndërkohë sipas të dhënave të INSTAT, konsumi mbetet i dobët pasi inflacioni është nën objektivin e Bankës së Shqipërisë.Qytetarët ankohen se e kanë të vështirë të përballojnë kostot.

Gjatë muajit korrik qytetarët shqiptarë kanë shpenzuar më shumë para për të blerë të njëjtat produkte.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se nëngrupi fruta e perime kanë pësuar rritjen më të madhe edhe pse tashmë është kulmi i prodhimeve bujqësore në vend.

Ndërkohë që konsumi në vend mbetet i dobët pasi inflacioni në korrik ka shënuar 1,5% nga 2.3% që ishte një vit më parë.

Ndërkohë qytetarët ankohen se e kanë të vështirë që të përballojnë jetesën.

Nga të dhënat zyrtare rezulton se shqiptarët shpenzojnë 44.1% të të ardhurave vetëm për të blerë ushqime.

"Kurse këtej, merr këtej. Del pensioni, nuk del. Shalqini me 300 lekë.Duam të hamë por të marrësh një shalqin bën 3 mijë lekë.Shtrenjtë."

"Sa të kesh jorganin, shtriji këmbët. Nuk del hesapi".

"Në përgjithësi janë shtrenjtë.E vështirë është për ato që janë pensionistë dhe i kanë rrogat e vogla. Për qeveritarët që i kanë xhepat e ngrohtë nuk i intereson fare për çmimet, nuk u bie ndërmend fare për popullin".

Ndërsa në një raport të Eurostat vlerësohej se qytetarët shqiptarë mbeten më të varfërit në Europë dhe në Ballkan.

Niveli i të ardhurave për shqiptarët vlerësohet 31% e mesatares së Bashkimit Europian,një nivel ky më i ulëti nëse krahasohet me të gjitha vendet europiane ndërsa në rajon krahasohet vetëm me Bosnje-Hercegovinën.




EMISIONET