Tregu i pasurive të paluajtshme në vend po njeh rritje të ndjeshme.Të dhënat e publikuara në raportin e Stabilitetit Financiar për 6 mujorin e dytë të 2018 tregojnë se çmimet e banesave janë rritur me 5% krahasuar me pjesën e parë të vitit. Po ashtu edhe shitjet kanë pësuar një rritje të ndjeshme, por kjo e përqëndruar vetëm në kryeqytet.Mbi 54 % e banesave është blerë me kredi bankare.

Pas boom-it të lejeve të ndërtimit edhe çmimet e apartamenteve kanë pësuar rritje. Banka e Shqipërisë në raportin e Stabilitetit Financiar për pjesën e dytë të 2018 konstaton se çmimet e banesave janë rritur me 5% në krahasim me gjashtëmujorin e parë të po këtij viti.

Por pavarësisht rritjes së çmimit të shitjeve, informacioni i marrë nga shoqëritë e ndërtimit dhe agjentët që operojnë në tregun e pasurive të paluajtshme tregojnë se ka pasur edhe më shumë shitje të banesave.

Kryeqyteti përsëri vijon që të mbajë peshën kryesore dhe shitjet e realizuara në zonën e Tiranës duke  përfshirë  qendrën, periferinë dhe zonat jashtë qytetit  kanë pësuar një rritje prej 3.8% ndaj periudhës paraardhëse.

Por nuk paraqitet e njëjta situatë në rrethe dhe në bregdet, ku vëllimet e shitjeve  kanë shënuar rënie.

Banka e Shqipërisë konstaton ndër të tjera se pavarësisht se  normat e interesit të kredisë për pasuri të paluajtshme kanë shënuar rritje rreth 54% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar janë blerë me hua bankare.

Nga ana tjetër edhe qytetarët kanë rritur kërkesat për marrjen e një kredie hipotekore.

Teprica e kredisë për ndërtim  është  rritur me 8.7% në  krahasim me fundin e gjashtëmujorit të parë, po ashtu edhe  cilësia e kredisë për pasuri të paluajtshme është përmirësuar dhe raporti i kredive me probleme ka rënë.

Por sa kohë i duhet një qytetari për të shitur një pasuri të paluajtshme?

Sipas Bankës së Shqipërisë koha mesatare e shitjes  së  pronave  në  rang vendi gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit, ishte mesatarisht 10.9 muaj ose  rreth 1  muaj  më  e  gjatë se në gjashtëmujorin e kaluar.

Për Tiranën  dhe zonat e tjera, koha e shitjes është rritur me rreth 1-2 muaj, ndërsa për zonën e bregdetit koha e shitjes është shkurtuar me rreth 2.5 muaj.  

Pritjet e agjentëve për çmimet dhe shitjet për  të ardhmen vijojnë  të  jenë  optimiste,  ndonëse  në  nivele  më  të  ulëta  në  krahasim me dy gjashtëmujorët e kaluar.

/Ora News.tv/