Shtohet licencë e re, impianti i gazit në automjete me vërtetim të posaçëm

Shtohet licencë e re, impianti i gazit në automjete me vërtetim

Të gjithë ata qytetarë që duan të realizojnë modifikimin e automjetit, duke e kthyer atë me gaz, tashmë duhet të paguajnë 4 mijë lekë më më shumë. Të drejtën për certifikimin tashmë e ka marrë një kompani private, ku duhet të paguash 10 mijë lekë në mënyrë që më pas të bësh edhe ndryshimin në lejen e qarkullimit. Ndërsa Ministria e Infrastrukturës sqaron se ky nuk është koncesion.

Morisë së licensave dhe të koncensioneve të dhëna prej qeverisë, që u kanë shkaktuar kosto të shtuar shqiptarëve, i është shtuar dhe vërtetimi për modifikimin e automjeteve të cilëve u vendoset impiant gazi.

Së fundi është licensuar operatori që do të firmosë dokumentin për të lejuar ndërhyrhjen.

Ky shërbim ofrohet kundrejt një pagese prej 10 mijë lekësh, duke shtuar në këtë mënyrë kostot.

Më parë ky shërbim ofrohej nga shteti dhe në total kishte një faturë prej 6 mijë lekësh.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës, ofrimi i këtij shërbimi nuk është monopol dhe as formë koncesionare, por një veprimtari mbi të cilën mund të licensohet kushdo subjekt që plotëson kërkesat ligjore.

Në sqarimin e Ministrisë thuhet ndër të tjera që aktivitete të tilla të ngjashme inspektuese ekzistojne në disa fusha në Shqipëri, ku akreditimet në fushën përkatëse, siç janë laboratorët testues, inspektimet teknike ndaj pajisjeve e instalimeve etj, janë bazë vlerësimi e përdorur në të gjithë vendet e BE dhe në pjesën më të madhe të ekonomive me rëndësi.

Këto aktivitete përmenden në mjaft ligje në fuqi, siç është ligji 10489/2011 i ndryshuar, ligji 32/2016, si dhe një sërë VKM që kanë miratuar rregulla teknike mbi fushën e pajisjeve e instalimeve energjetike dhe të industrisë në përgjithësi.

EMISIONET