Shqiptaro-amerikanët, letër presidentit Trump, shqetësim për marrëdhëniet e SHBA me aleatët

Shqiptaro-amerikanët, letër presidentit Trump, shqetësim për

Disa përfaqësues të shqiptarëve të Amerikës i shprehën Presidentit Donald Trump shqetësimin e thellë rreth një keqësimi të mundshëm të marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë.

Letra, e nënshkruar nga anëtari i Këshillit të Qytetit të Nju Jorkut, Mark Gjonaj dhe përfaqësues të 10 organizatave shqiptaro-amerikane, i referohet komenteve të bëra në një intervistë të zotit Trump me komentatorin e kanalit Fox News, Carson Tucker, ku Presidenti vuri në pikëpyetje nëse SHBA do t’i përmbaheshin nenit 5 të Traktatit të NATO-s për mbrojtjen e ndërsjellë dhe ku u përmendën Mali i Zi dhe Shqipëria.

Në letër thuhet se përgjigja e zotit Trump në atë intervistë flet për një moskuptim thelbësor të historisë së rajonit dhe të rolit të paçmueshëm të Amerikës në ruajtjen e paqes.

“Nëse flet me një shqiptar, në Amerikë apo jashtë saj, - thuhet në letër, - do të vësh re një ndjenjë të thellë dashurie dhe respekti për Shtetet e Bashkuara dhe kuptimin që ka patur roli i tyre si udhëheqëese e botës së lirë.”

Marrëveshja për mbrojtjen kolektive, - thuhet në letër, - ka bërë që bota të mos gjendet në prag të një lufte tjetër botërore.

Në letër shprehet keqadhje që komentet për NATO-n dhe për njerëzit “shumë agresivë” të Malit të Zi e vënë në pikëpyetje udhëheqjen morale të Amerikës, në një kohë kur, siç thuhet aty, bota ka nevojë më shumë se kurrë për të.

Çështja e komenteve të zotit Trump për Malin e Zi u shfaq përsëri të mërkurën gjatë seancës së Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo, i cili nuk u vuri rëndësi komenteve të shprehura në intervistë dhe tha se politika e Presidentit Trump ka qenë e qartë jashtë çdo dyshimi.

Presidenti Trump i ka kritikuar shpesh anëtarët e tjerë të NATO-s rreth kontributit të tyre financiar për aleancën, duke thënë se SHBA mbajnë pjesën më të madhe të barrës.

NATO-ja, e themeluar në vitin 1949 për të frenuar kërcënimin ushtarak të Bashkimit Sovjetik, mbështetet në epërsinë ushtarake të Shteteve të Bashkuara për t'u përballur me një mori kërcënimesh në kufijtë e Evropës, duke përfshirë Rusinë.

Angazhimi për mbrojtje reciproke është shtylla e aleancës së NATO-s.

Biseda Carlson-Trump në Fox News (17 korrik 2018)

CARLSON: Përse duhet që djali im të shkojë në Mal të Zi për ta mbrojtur atë nga sulmi? Përse të jetë kështu?

TRUMP: E kuptoj çfarë po thoni. Unë kam shtruar të njëjtën pyetje. Mali i Zi është një vend i vogël me njerëz shumë të fortë.

CARLSON: Po. Unë nuk jam kundër Malit të Zi, ose Shqipërisë.

TRUMP: Jo, por meqë ra fjala, ata janë njerëz shumë të fortë. Ata kanë njerëz shumë agresivë. Ata mund të bëhen agresivë dhe… urime jemi pastaj në Luftën e Tretë Botërore. Unë e kuptoj këtë, por kështu janë ndërtuar gjërat.

EMISIONET