Shqiptarët jo besimtarë

Shqiptarët jo besimtarë

Shqipëria, një vend ku mbizotërojnë disa besime fetare e ka trumbetuar shpesh si një vlerë tolerancën dhe bashkëjetesën fetare. Por nga një studim i fundit i bërë nga PNUD rezulton se harmonia fetare është një fakt vetëm për shkak të laicizmit. Të paktën 80% të të anketuarve mendojnë kështu. Nga gjetjet rezulton se vetëm 5% e shqiptarëve ndjekin ritualet në mënyrë të përjavshme, pjesa tjetër shkon në kishë apo xhami vetëm në momente morti ose festash fetare.

Në një studim të fundit të PNUD për tolerancën fetare në Shqipëri, diskriminimin dhe nivelin e besimit rezulton se shqiptarët kanë një nivel përgjithësisht të ulët informacioni ose njohurish për fetë e ndryshme.

Studimi i referohet një kampioni prej 1100 personave të zgjedhur rastësisht dhe informacionet e tyre për pesë komunitetet kryesore fetare në Shqipëri: myslimanë, ortodoksë, katolikë, bektashinj dhe protestantë.

Nga gjetjet e studimit rezulton se me përjashtim të komunitetit mysliman, më shumë se gjysma e pjesëmarrësve në sondazh deklaruan se kanë pak ose aspak njohuri për fenë e komunitetit ortodoks, atij katolik, bektashinj dhe protestant.

Kjo ndodh duke pasur parasysh mbizotërimin e bashkësisë myslimane në Shqipëri.

Por a është Shqipëria vend i tolerancës fetare? 60% e të anketuarave janë përgjigjur me PO, dhe qëndrimet ishin ndarë në dy drejtime:

- Ndjenjat kombëtare ushqejnë tolerancën fetare në Shqipëri (83.3%)

-Laicizmi ka forcuar tolerancën fetare (83.1%)

Në Presidencë ku u prezantua raporti, kreu i vendit, Ilir Meta, vlerësoi rolin e klerikëve për të forcuar harmoninë fetare.

Ilir Meta: Dëshiroj të vlerësoj gjithashtu nismën e fundit te krerëve të bashkësive fetare në Shkodër për të ndërgjegjësuar komunitetin, për të forcuar vlerat e familjes dhe për t’iu kundërvënë veseve që po gërryejnë këto vlera, si droga, bixhozi, bastet e njëkohësisht për të sensibilizuar institucionet shtetërore të luftojnë me forcë ndaj këtyre fenomeneve dhe antivlerave sociale. Në këtë kontekst, vlerësoj se, ky studim është serioz dhe vlen për reflektime. Anketime të tilla na duhen si referencë për punën tonë të përditshme, por edhe për të ardhmen. Gjithashtu punime të tilla vlejnë edhe si instrumente vlerësimi të realitetit në vendin tonë edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë.

80% e të anktuarëve mendojnë se toleranca fetare është më e fortë në nivel vendor, ku komunitetet janë të përziera. 76% e tyre e lidhin tolerancën me faktin se shqiptarët në përgjithësi nuk janë shumë fetarë.

Gjetjet tregojnë se qytetarët zgjedhin sjelljen më shumë sesa fenë: vetëm 5 për qind ndjekin shërbime fetare çdo javë, 50 për qind ndjekin ceremonitë fetare vetëm në momentet kyçe të jetës, si lindje, martesë ose mort.

Por ajo që bie në sy është se rreth 15% e të anketuarve shprehen se simbolet dhe ritet fetare nuk duhet të lejohen në administratën publike ose në shkollë.


EMISIONET