Shqipëria pa investime të huaja, kompanitë preferojnë Serbinë

Shqipëria pa investime të huaja, kompanitë preferojnë

Shqipëria ka mbetur ka investime të huaja direkte gjatë dy viteve të fundit, ndërkohë të dhënat e indeksit ‘Greenfield’ tregojnë se kompanitë preferojnë Serbinë. Në rajon gjithashtu vende të përshtatshme për të investuar janë Mali i Zi dhe Bosnja. Disa nga shqetësimet e ngritura nga investitorët e huaj, janë paqëndrueshmëria fiskale, burokracitë dhe korrupsioni.

Shqipëria shihet si një vend i papërshtatshëm për të investuar nga kompanitë e huaja. Këtë e tregon Indeksi i Investimeve Greenfield që hartohet nga gazeta prestigjioze financiare, Financial Times.

Për t’u përfshirë në këtë indeks, një vend duhet të marrë të paktën 10 investime të huaja direkte në një vit. Renditja përfshin të dhëna të vitit 2018 dhe të gjashtëmujorit të parë të 2019-s.

Investimet kryesore të huaja gjatë viteve të fundit kanë qenë ato të kryera për ndërtimin gazsjellësit TAP apo për ndërtimin e hidrocentraleve nga norvegjezët e Statkraft. Disa nga shqetësimet e ngritura nga investitorët e huaj, janë paqëndrueshmëria fiskale, burokracitë dhe korrupsioni, duke përfshirë çështjet e pronës.

Këtë vit, Indeksi i Investimeve Greenfield kryesohet nga Serbia, si vendi i parë në botë për thithjen e investimeve të huaja direkte.

Vendi ballkanik ndiqet nga fqinji i vet, Mali i Zi, ndërsa vendet e tjera të rajonit janë Bosnjë Hercegovina në vendin e 15-të dhe Maqedonia e Veriut në vendin e 18-të.

Raportin e përshëndeti presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, duke thënë se tani çdo kompani botërore ose europiane do të shohë mundësinë për të investuar në Serbi.

Sipas Vuçiç-it, gjatë vitit 2018 në vend u investuan 3.6 miliardë euro. I entuziazmuar nga renditja e Serbisë në krye të indeksit, presidenti serb, tha se “Serbia është shumë më e suksesshme se vendet e tjera të Ballkanit.”

Gjatë vitit 2018 Serbia mori 107 projekte të investimeve të huaja direkte, kryesisht të në sektorin e prodhimit të automjeteve, ushqimit, duhanit, tekstileve dhe sektorit të pasurive të patundshme.

Indeksi i Investimeve Greenfield rendit 50 vende të botës, ku shtete të zhvilluara të Europës Perëndimore renditen në fund. Britania mban vendin e 40-të, Portugalia të 46-in dhe Spanjën të 50-in.

EMISIONET