Shqipëria mbetet vendi më i varfër i Europës.Sipas të dhënave të Eurostat vendi ynë mbetet i fundit përsa i përket nivelit të ardhurave dhe konsumit.Shqipëria vlerësohet se ka të ardhurat sa 31% të mesatares së Bashkimit Europian, ndërsa konsumi rezulton minimal.

Qytetarët shqiptarë mbeten më të varfërit në Europë dhe në Ballkan.

Eurostat ka nxjerrë një raport ku vlerëson të ardhurat dhe konsumin në vendet e Bashkimit Europian gjatë vitit 2018.

Niveli i të ardhurave për shqiptarët  vlerësohet 31% e mesatares së Bashkimit Europian, niveli më i ulët nëse krahasohet me të gjitha vendet europiane, ndërsa është i njëjtë me Bosnje Hercegovinën.

Shqetësues është fakti se përtej të ardhurave edhe konsumi i shqiptarëve është më i ulëti krahasuar me vendet e Europës, çka tregon një mirëqënie të ulët të familjeve të cilat punojnë për mbijetesë.

Por konsumi më i ulët në Shqipëri  është edhe nëse e krahasojmë me Bosnjen, çka nënkupton se jetesa në Shqipëri është më e shtrenjtë.

Mali i Zi rezulton se është vendi me të ardhurat më të larta në rajon, e ndjekur nga Serbia dhe Maqedonia.

Ndërkohë vendi me nivelin më të lartë të jetesës dhe mirëqënies në Bashkimin Europian rezulton të jetë  Luksemburgu.

Të ardhurat dhe konsumi në këtë vend rezultojnë dy fish më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian.

Pas Luksemburgut renditen Gjermania, Austria dhe Danimarka.

Nën mesataren e të ardhurave të Bashkimit Europian me rreth 10-20% renditen edhe Italia, Greqia, Qipro dhe Irlanda.

/Ora News.tv/