Shqipëria konfirmohet si prodhuesi e tregtuesi kyresor i marijuanës drejt Italisë dhe Europës

Shqipëria konfirmohet si prodhuesi e tregtuesi kyresor i marijuanës

Në Ditën Botërore kundër drogës, Italia shpreh vullnetin për të shkatërruar trafikun e lëndëve narkotike ashtu siç po bën dhe me emigracionin e paligjshëm.

Ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini, njëherësh zëvendëskryeministër shprehet se "nuk do të ketë asnjë mëshirë për shitësit e vdekjes, e mafiet që bëjnë biznes me drogën. Do të shumëfishojmë forcat për të luftuar gjithnjë e më shumë tregtarët e drogës, kontrollin e tyre në territor, do të vendosim dënime më të rrepta me ambicien për të pasur të njëjtat rezultate si  në luftën kundër biznesit të emigracionit klandestin".

Në këtë Ditë Botërore kundër drogës Ministria e Brendshme Italiane ka inauguruar një portal të ri të autoriteteve antidrogë ku gjithkush mund të gjejë informacion mbi trafikun e lëndëve narkotike në vend si dhe tipologjitë e reja të drogës në qarkullim.

Në këtë portal i hapur vetëm pak orë më parë konfirmohet se Shqipëria është prodhuesi më i madh në nivel botëror në prodhimin e marijuanës. Marijuana trafikohet nga Shqipëria në Itali, e më pas shpërndahet në vendet e tjera të Europës.

Tre janë rrugët kryesore të trafikut të marijuanës në Itali.

Nga Shqipëria përmes detit Adriatik mbërrin në Itali e më pas shpërndahet në tregjet europiane të shitjes.

Dy rrugët e tjera të trafikut të marijuanës janë nga Meksika e nga Afrika e Veriut.

Gjithashtu Shqipëria mbetet një nga rrugët e trafikimit të heroinës nga Turqia, që më pas tranziton në Greqi, Bullgari, Shqipëri e Maqedoni dhe shpërndahet në pikat strategjike të tregtisë së heroinës në Europë.

Ekspertët maqedonas kanë sinjalizuar autoritetet italiane se marijuana shqiptare mbërrin dhe në Maqedoni për tu shpërndarë më pas në vendet ballkanike, të cilët e tregtojnë në vendet e Europës.

Ndërsa kokaina sillet në Shqipëri e Greqi nga vendet e Amerikës së Jugut për t'u tregtuar më pas në Europën Qëndrore.

Sa i përket drogave sintetike, ato mbërrijnë në Itali përmes trafikut nga Belgjika e vendet e ulëta.

Qeveria italiane informon gjithashtu se ka investuar 7 milionë euro në luftën për parandalimin e përdorimit të drogës tek të rinjtë, 2.2 milionë prej të cilave në mbështetje të komuniteteve nën terapinë e varësinë nga droga.



EMISIONET