Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon dorëheqjen e Kryeministrit Rama, pasi sipas kësaj force politike papërgjegjshmëria e qeverisë po cënon imazhin e vendit.

Një ditë pas shkrimit në gazetën gjermane “Bild” për vendin tonë Luan Rama thekson se imazhi i Shqipërisë  po rrënohet gjithnjë e më shumë për shkak të arrogancës së qeverisë.

Luan Rama: Shkaku është qeveria e gangsterëve, me kryegangsterin kryeministrin e këtij vendi. Në papërgjegjmëri të plotë, kur duhet që më shumë se cilido tjetër dhe më shumë se kushdo të reflektojë me përgjegjshmëri për të vënë interesat e vendit mbi ato të klanit kriminal, për të vënë të ardhmen europiane të Shqipërisë mbi të ardhmen e vet dhe të klanit të vet mafioz, të reflektonte duke dhënë dorëheqjen për t’i çelur rrugë zgjidhjes së krizës politike, ai vazhdon me kryeneçësi duke përligjur ato që thotë “Bild-i”.

Pas këtyre akuzave ka ardhur edhe reagimi i socialistëve, të cilët akuzojnë opozitën se po sponsorizon shkrimet kundër Shqipërisë ne mediat ndërkombëtare.

Blerina Gjylameti: Fatkeqësisht prej parave të pista të ardhura nga vende të huaja dhe kjo pistë është nën hetim, përfaqësues të opozitës duan të botojnë në mediat ndërkombëtare baltën dhe shpifjen që recitojnë çdo ditë në Shqipëri. 

Edhe pse PS e pranon që artikuj të tillë e dëmtojnë imazhin e vendit në një situatë politike jo normale.

/Ora News.tv/