Kryeredaktori i 'Gazeta Shqiptare' i ftuar në Intervista e Mbrëmjes në Ora News është shprehur se situata e krijuar gjatë seancës plenare në Kuvend paraditen e së enjte ka ardhur si shkak i frustrimit të opozitës ndaj autoritarizmit në rritje të Kryeministrit Rama.

Çfarë emri i vendos seancës së Kuvendit (12 prill)?

Erl Murati: "Mendoj se është një fustrim i kuptueshëm i opozitës duke parë autoritarizmin në rritje të kësaj qeverie, drejtuar nga Kryeministri Rama. Është një përkthim politik i asaj lëvizje popullore që lindi dhe kapi në befasi qeverinë dhe opozitën, po flas për protestën dhe traun që u vendos në mënyrë arbitrare në Rrëshen-Kalimash. Ky është përkthimi politik. 

Shumë veta gjendjen në burg për këtë protestë të dhunshme, 11 persona, ndërkohë që ne jetojmë në një vend ku kultura e imponitetit e pandryshueshmërisë, për korrupsionin në nivele të larta, e kemi thënë dhe përsëritur me qindra herë, vazhdon në të njëjtat nivele. Ndaj është deri diku e kuptueshme që të ketë një lloj frustrimi të përgjithshëm por edhe të opozitës e cila e shpreh në këtë mënyrë. Padyshim që çdo gjest dhune është i dënueshëm apriori ose gjestet që nuk i shkojnë një seance plenare, që nga bilbilat që janë futur më parë në Parlament, por edhe tani mielli e uji. 

Por nuk është ky shqetësimi im kryesor, këto janë pasojat. Shqetësimi im kryesor janë arsyet pse opozita detyrohet të reagojnë në këtë mënyrë në Parlament dhe pse populli detyrohet të djegë Toll-et."

A duhet një peshore midis përgjegjësve?

Erl Murati: "Secili merr përgjegjësi për veprimet që bën. Dikur për çizmen e mori kryetarja e LSI, Kryemadhi. Përgjegjësia është individuale dhe natyrshëm është mbledhur Këshilli i Kuvendit dhe ka penalizuar këto depuetë. Çështja është çfarë vjen më pas?

Deputetët do dënohen. Por ka nevojë për një reflektim të maxhorancës dhe kryeministrit pasi nuk mund të drejtohet me metoda autoritariste duke shpërfilluar dhe shpeshherë përbuzur opozitën por edhe një pjesë të popullsisë. Cilësimet barbar ose mjaft etiketime të tjera janë të panevojshme. I takon qeverisë, të fortit që të shtrijë dorën e pajtimit aq më tepër që jemi në një situatë ku Shqipëria beson dhe shpreson që të hapë negociatat për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian."

Çfarë duhet të bënte Kryeministri?

Erl Murati: "Kryeministri duhet të jepte përgjigje përfundimtare dhe të kërkonte ndjesë të sinqertë për atë që ndodhi në Kukës. Ai shkruajti në Facebook: barbarët. Është tjetër gjë të kesh një ndjesë të sinqertë dhe reflektim, është tjetër gjë ta shtysh. Meqë kemi një shprehje force nga ana e opozitës dhe popullit , unë po e shtyj 6 muaj, 6 javë dhe pasi të iki nga Tirana Mogheri në datën 18 unë e vë prap Tollin. 

Nuk është çështje gjesti. Apo siç ishte përfshirja e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së, që ministri i Financave tha se do të pezullojmë gjobat për 6 muaj. Nuk është kjo mënyra për të përdorur dhe shkopin dhe karrotën, për ta ngrirë apo pezulluar tensionin. 

Çështja është që tensionit i duhet dhënë zgjidhje. Debati për traun në Rrëshen-Kalimash është një çështje e pazgjidhur që mund të riaktivizohet nëse vazhdohet me këtë sjellje nga ana e qeverisë."

Kemi krizë të shkaktuar nga pakënaqësia e madhe sociale apo krizë politike?

Erl Murati: "Nuk jemi në mes të një krize të madhe politike. Unë e quaj gjeste, nuk e quaj si një dhunë që u ushtrua nga qeverisë, kryeminstrit që iu rrezikua jeta. Të hedhësh topa letre dhe miell kundër një Kryeministri nuk shihet si një gjest shumë simpatik dhe nuk shihet çdo ditë në parlamentet e botës por nuk mund të themi që është krizë politike që cënon integritetin e vendit. 

Unë shoh një lloj arrogance në rritje të qeverisë që prodhon nervozizëm nga ana e opozitës dhe një pjese të popullsisë. Kjo vjen për faktin se kryeprokurorja është zgjedhur vetëm me votat e mazhorancës ndërkohë që Kushtetuta thotë se duhet një konsensus dhe quhet e përkohshme kur ka 4 muaj në detyrë dhe ndëkohë është një prokurore e qeverisë. 

Kjo padiskutim do sjellë pasojat e veta, do sjellë një paranojë nga një pjesë e popullsisë se unë jam në burg sot si protesutes i Rrëshen-Kalimashit sepse ju tek qeverisë një ditë, vuri një tra dhe tha se do më japësh mua 13 mijë lek në ditë, 10 euro të cilat janë 400 mijë lek të vjetra në muaj që janë baraz me një rrogë mesatare. Kjo është padyshim një sjellje arbitrare."

Do të ndikojë situata politike në vend në vendimin e Bashkimit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë?

Erl Murati: "Nuk besoj se do ketë probleme se pati miell dhe bidona uji në parlament. Edhe përshkallëzimi ka nivelet e veta, ka cilësinë e vet. U përfol më parë që mund të digjte mandatet opozita ose u propozua nga ish-kryeministri Berisha, ndërkohë që opozita është në Kuvend. 

Nëse opozita do të bojkotonte Parlamentin do të ishte një hap më radikal. Pavarësisht këtyre gjesteve politike të opozitës besoj që nuk do të ndikojnë në një vendim të madh politik-diplomatik që është hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian."

/Ora News.tv/