Kombetarja shqiptare e futbollit do të zhvillojë sot në orën 18:30 një miqësore me Turqinë, në Antalia.

Trajneri italian i përfaqësueses, Christian Panucci ka menduar një skuadër sulmuese në testin e tij të parë pas mbylljes së fushatës eliminatore të Kupës së Botës.

Panucci mendohet se do të luajë me tredhëmbëshin Sadiku, Grezda dhe Roshi në sulm.

Berisha është i konfirmuar në portë, në mungesë të Strakoshës që ka udhëtuar drejt Italisë. Hysaj, Ajeti dhe Mavraj do të plotësojnë rreshtimin me katër në mbrojtje me Lenjanin, që është preferuar përpara Alijit dhe Balliut në të majtë.

Në mesfushë pas problemeve fizike të Bashës vendin e titullarit nga minuta e parë do ta ketë Sabien Lilaj. Konfirmohen Memushaj e Xhaka për ta plotësuar treshen e mesfushës.

I sapoardhuri Astrit Ajdareviç pritet ta nisë nga stoli, ndërsa pritet të ketë disa minuta dhe për Qakën.

Me Roshin në të djathtë, Grezdën në të majtë dhe Sadikun në qendër Panucci ka në mendje një sulm agresiv qe nga minuta e parë.

/ATA/

/Ora News.tv/