Shqipëria dhe Kroacia angazhohen të bashkëpunojnë ekonomikisht pa barriera në të ardhmen. Gjatë forumit të biznesit që u mbajt në Tiranë, kryetari i Dhomës së Tregtisë Nikolin Jakaj ftoi investitorët kroatë për ta parë Shqipërinë si një vend potencial për të bërë biznes dhe për të investuar. Ministri kroat i Ekonomisë tha se politikat administrative të Kroacisë do të jenë më lehtësuese për investitorët shqiptarë.

Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kroacisë do të jetë në rritje edhe në aspektin ekonomik të të bërit biznes.

Tryeza e organizuar mes Dhomës Tregtare të Shqipërisë dhe Dhomës Ekonomike të Kroacisë në Tiranë dëshmoi se vendi ynë ka një klimë miqësore të të bërit biznes, pa përjaashtuar dhe mundësitë që ofron turizmi shqiptar.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jakaj, u shpreh se Shqipëria është një vend potencial për investim.

Nikolin Jakaj: Energjia dhe infrastruktura, turizimi, agropërpunimi, bujqësia, manifaktura dhe shërbimet janë sektorë potencial dhe në zhvillim që presin investitorë seriozë dhe bashkëpunime serioze në ekonominë shqiptare.

Ministrja e Financave, Anila Denaj, theksoi se reformat në këtë fushë synohen të jenë në linjë me rekomandimet e Bashkimit Evropian.

Ndërsa Ministri kroat i Ekonomisë, Darko Horvat, premtoi që Kroacia do të minimizojë barrierat administrative për investitorët shqiptarë.

Darko Horvat: Kroacia prej disa vitesh ka një zhvillim të madh ekonomik dhe në bashkëpunimin bilateral kemi 10 për qind të rritjes në 2018. Ne duhet të mundësojmë vazhdimësinë e këtij zhvillimi. Kjo sinergji ndërmjet kompanive dhe politikës, do të mundësojë klimën fiskale dhe ligjore e cila do të mundësonte investime cilësore dhe hapje vendesh të reja pune cilësore.

Dhjetëra kompani shqiptare dhe kroate pjesëmarrëse në forum do të vijojnë me takime dhe në ditët e ardhshme, me qëllim rritjen e investimeve në të dyja vendet.





/Ora News.tv/