Shpresa përballë poshtërimit

Shpresa përballë poshtërimit

Të mohosh të vërtetën dhe të bësh më të rëndësishëm faktin e mohuar!” Kjo ishte motoja e “Ministrisë së të Vërtetës” në romanin distopik “1984” të Xhorxh Oruellit. Në botën e sotme duket se ky parashikim ka ardhur duke u vendosur në qendër të vëmendjes, sidomos në një komunikim virtual të dendur, ku “faktet alternative” kanë zënë vendin e së vërtetës e sidomos, vendin e të menduarit me logjikë e në mënyrë të vetëdijshme.

Të mohosh të vërtetën dhe të bësh më të rëndësishëm faktin e mohuar!” Kjo ishte motoja e “Ministrisë së të Vërtetës” në romanin distopik “1984” të Xhorxh Oruellit. Në botën e sotme duket se ky parashikim ka ardhur duke u vendosur në qendër të vëmendjes, sidomos në një komunikim virtual të dendur, ku “faktet alternative” kanë zënë vendin e së vërtetës e sidomos, vendin e të menduarit me logjikë e në mënyrë të vetëdijshme.

Teoricienët e komunikimit, Marshall McLuhan apo Pierre Bourdieu, apo edhe shumë të tjerë teoricienë të kësaj fushe, të cilët janë marrë me situatën që ndërton komunikimi me “fakte alternative”, kanë theksuar se përmes këtij modeli, ne më së pari rrezikojmë çdo ditë të godasim kurajën për të guxuar. Kjo kulturë dekurajuese është pasojë e poshtërimit që ndërton kombinimi i fakteve të mohuara me ndërtimin e realitetit të gënjeshtërt. Për pasojë të këtij poshtërimi, qytetarët, në vend të guximit për ndryshim, zgjedhin mbijetesën, zgjedhin të veprojnë nën pushtetin e frikës nga humbja.

Komentuesi i “Financial Times”, Dominik Moisi, në librin e tij “Gjeopolika e emocioneve” shprehet se nën poshtërim njeriu mendon gjithmonë nën moton “nuk jam i aftë për këtë” ose “nuk do e arrij këtë”. Dhe, duke vepruar i dekurajuar, njeriu humbet vetëbesimin se mund të arrijë ndryshimin që dëshiron. Dhe po të bësh sot një sondazh në shoqërinë e sotme shqiptare, do konstatosh lehtësisht se shumica nuk besojnë se mund të ndikojnë në ndonjë ndryshim në shoqëri e aq më pak në politikë. Janë të paktë ata që besojnë se mund të ndikojnë në ndryshimin e realitetit apo se do të jenë promotorë në gjetjen e së vërtetës. Është ky mosbesim i thellë që ka çuar në një përqindje alarmante dëshirën e shumë shqiptarëve për t’u larguar nga vendi, edhe pse thuajse të gjithë e dinë se emigrimi nuk është alternativa më e gëzueshme.

Por, duhet të pranojmë se, përballë kulturës së frikës dhe poshtërimit duket se kanë humbur fuqinë edhe ligjërimet fetare (nënkupto “ligjërimet morale”), të cilat janë jashtë fokusit të debateve të sotme publike. Ligjërimet morale ngjajnë si diçka ekzotike përballë frymës antitradicionale dhe antihistorike që dallon modernizmin. Të tilla ligjërime kanë humbur fuqinë, jo vetëm për të qenë motivuese, por edhe frenuese ndaj pushtetit të madh të dëshirave dhe shijeve. Kjo mbretëri dëshirash dhe shijesh ka gjetur një terren në ligjërimin e sotëm të klasës politike, e cila në vend të rrugëzgjidhjes ofron argëtimin, në vend të debatit mbi të vërtetat ofron spektaklin.

Në një shoqëri të bombarduar nga “faktet alternative” e sidomos ku hapësirat i janë thënë gjithkujt për të thënë gjithçka, shpresa veç vjen e zbehet. Ideja se e vërteta apo dija nuk janë më elemente me të cilat mund të krenohesh apo të garantosh rrugëtimin tënd profesional dhe integritetin moral, e kanë bërë shpresën një mall, me të cilin prodhuesit e spektaklit veç tallen. Në këtë situatë, të thuash që “këtu nuk jetohet”, apo “ky vend nuk bëhet”, ka shumë mundësi të të duartrokasin, ndërkohë që nëse thua “do të qëndroj sepse duhet provuar dhe besuar”, atëherë mund të jesh ti objekti që shkakton të qeshurat dhe humorin.

Duhet të pohojmë se humbja e shpresës përballë kulturës së frikës dhe poshtërimit nuk është një fenomen shqiptar. Por pasojat e kësaj përballjeje në shoqërinë shqiptare janë alarmante. Në këtë situatë, më së pari është me rëndësi të guxojmë të besojmë se “ky është atdheu ynë dhe për të duhet luftuar”.

Nuk është rastësi që disa vite më parë, nobelist në ekonomi u shpall psikologu izraelito-amerikan, Daniel Kahneman, i cili vuri theksin e ekonomisë në mënyrat e të menduarit – pra, në mënyrën se si ne besojmë se mund ta bëjmë atë. Teoritë e Kahnemanit për të menduarit e shpejtë dhe të avashtë, pra të menduarit instiktiv dhe të menduarit logjik, janë një shtysë për çdo shoqëri, për të kuptuar se, nëse nuk shmangim frikën dhe nëse nuk refuzojmë kulturën e poshtërimit që zotëron diktaturën e spektaklit, ne nuk do të mund të besojmë se e nesërmja është në dorën tonë.

EMISIONET