Këto janë pasojat e shpërthimit të tritolit në orët e para të mëngjesit në Vlorë! Eksplozivi, që paraprakisht përllogaritet të ketë qenë rreth 150 gram ishte vendosur në derën e kësaj banesë, që rezulton në pronësi të një shtetasi të identifikuar si Jovan Çela!

Ai jeton në katin e katërt të një pallati në lagjen "Isa Boletini" në Vlorë.

Shpërthimi ka qenë i fortë dhe siç duket ka krijuar një gropë në shesh pushimin e pallatit, ka dëmtuar derën e blinduar të banesës së familjes Çela dhe tavanin e pallatit.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 03:10 minuta të mëngjesit dhe vec këtyre dëmë materiale ka shkaktuar panik mes banorëve të pallatit!

Ekspertët e policisë kryen gjatë orëve të para të mëngjesit veprimet e para hetimore në vendngjarje dhe një burim i tha Ora News, se eksplozivi është aktivizuar me fitil.

Autori e ka ndezur dhe më pas është larguar!

43 vjeçari Çela gjatë dëshmisë së parë ka deklaruar se nuk ka konflikte me askënd.

Por një burim tha se ai është person me precedentë të mëparshëm në fushën e narkotrafikut, dhe disa kohë më parë i kanë djegur edhe një automjet.

Ndaj një prej pistave kryesore të hetimit lidhet me të shkuarën e 43 vjecarit që i vunë tritol në derë të banesës!

Por një tjetër pistë lidhet me konkurrencën, pasi pronari i banesës rezulton pronar i një zdrukthëtarie ne Vlorë.

Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë ndërsa zyrtarisht thotë se po punohet për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e shkaqeve të tritol-vënies.



/Ora News.tv/