Të paktën 12 vetë janë plagosur pas një shpërthimi në një fabrikë kimike pranë aeroportit të Kajros, raporton agjencia shtetërore e lajmeve egjiptiane MENA.

Ata janë shtruar në spital, por nuk dihet ende gjendja e tyre shëndetësore dhe nëse lëndimet që kanë marrë janë të lehta apo jo.

Një zëdhënës i ushtrisë tha se shpërthimi u shkaktua nga temperaturat e larta në një depo karburanti.

Trafiku ajror në aeroport nuk është prekur, konfirmoi ministri i aviacionit të Egjiptit Younis al-Masri.

Sipas dëshmitarëve okularë, zhurma e shpërthimit ishte shurdhuese dhe flakët mund të shiheshin nga një distancë.

Zjarrfikësit kanë arritur që të shuajnë flakët, sipas televizionit shtetëror.


/Ora News.tv/