Nuk kishin kaluar as 2 minuta nga fjalimi i drejtorit te policisë së qarkut Shkoder Gjovalin Loka, kur në sfond nga mjediset e jashtme të komisariatit të këtij qyteti, dëgjohet zhurma e një shpërthimi të fuqishëm.

Në pak sekonda uniformat blu marrin njoftimin dhe shpërndahen me shpejtësi në terren. Një sasi tritoli ishte vendosur në hyrje të një godine dy kateshe në lagjen “Rus” prej ku mbeten të plagosur 7 persona. Lënda plasëse ishte vendosur në një motorçikletë të parkuar në hyrje, e cila është ndarë më dysh, ndërsa demet materiale të shënuara në dyqanet perreth ishin të shumta.

Tre prej të plagosurve, mes të cileve edhe Lulzim Kulla, një emer i njohur ky për policinë e që dyshohet se ka qënë objektiv i atentatit ndodhen në gjendje të rende dhe u dërguan me urgjencë drejt kryeqytetit. Për shkak të plageve më të shumta, Kulla u transportua me helikopter, ndërsa 2 të tjerët me autoambulanca.

Shpërthimi i fuqishem ndodhi në një zonë tejet të populluar, e ku të plagosur mbeten përveç punonjesve të dyqaneve, edhe kalimtarë të rastit. A. Gjonaj 31 vjece, P.Arra 53 vjeç, G.Suca 40 vjeç,  D. Myftia 32 vjeç,  P. Daka 60 vjeç dhe Rajka Gardosileviç 50 vjeçe nga Mali i Zi. Tregtarët perreth tregojnë se zhurma e shpërthimit ka qënë e fuqishme dhe fillimisht kanë menduar se ka qënë ndonjë bombul gazi.

Grupi hetimor dhe drejtuesit e lartë të policisë Shkoder nisen hetimet për këtë ngjarje, ndërsa kanë sekuestruar pamjet e sigurisë të objekteve perreth që pritet të ndihmojnë në identifikimin e autoreve. Përveç dyqaneve në katin e dytë ndodhet edhe zyra e shoqatës serbo – Malazeze, e cila u dyshua fillimisht se mund të kishte qënë objekt i autoreve.

/Ora News.tv/