Princi Harry dhe Meghan janë vënë në qendër të kritikave në Britani për shpenzime luksi për rikonstruksionin e shtëpisë së tyre, që ka kushtuar deri më tani rreth 3 mln dollarë. Kritikët e konsiderojnë shpërdorim të tepruar të parave publike.

Shifra prej 2.4 milion paund ose 3 milionë dollarë, para publike, që ka shpenzuar Princi Harry dhe Meghan për të rikonstruktuar shtëpinë e tyre në bazën e Windsor Castle është cilësuar si një shpenzim i tepërt nga kritikët.

Çifti u vendos në pronën dhuratë nga mbretëresha pas shpërnguljes nga pallati Kensington, pasi u tha se kishte mosmarrëveshje me William dhe Kate.

Sipas mediave britanike, Harry dhe Meghan kanë punësuar dizajnuesin e famshëm të Soho Farmhouse në Oxfordshire, ndërsa miqtë e e tyre thonë se shpenzimi për rikonstruksionin është mëse normal.

Prona e shekullit të 19-të, e cila ishte e ndarë në pesë shtëpi të vogla, do të duhej të kthehej në një shtëpi të vetme. Tavanet dhe dyshemetë u zëvendësuan së bashku me shtimin e banjove të reja, dhomave të gjumit dhe një kuzhinë.

Punimet sipas ekspertëve ishin planifikuar të kapnin një kosto më shumë se 3 milionë paund, ndërsa deri më tani përllogariten në 2.4 .

Megjithatë, gjasat janë që ta kalojë këtë shifër pasi projekti ende nuk është i plotë.


/Ora News.tv/