Ministria e Kulturës ka shpallur vendin vakant për Drejtor të Teatrit Kombëtar, pasi ka përfunduar mandati i drejtorit aktual Hervin Çuli.

Në njoftimin e Ministrisë së Kulturës thuhet: Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 173, datë 07.03.2003 “Për emërimin, lirimin ose shkarkimin nga detyra të drejtuesve të institucioneve, në varësi të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit ose Ministrit”,  si dhe të Ligjit 10352, datë 18.11.2010 “Për artin dhe kulturën”, i ndryshuar, Ministria e Kulturës shpall konkursin për pozicionin Drejtor në Teatrin Kombëtar.

I pari që ka shpallur kandidaturën është aktori i njohur Laert Vasili. Në një postim në rrjetet sociale ai shkruan:

"Unë kandidoj sërish për drejtimin e Teatrit Kombëtar. Të dashur miq, Pas një sërë takimesh, dëgjimesh, propozimesh dhe falë këmbënguljes sime në bindjet e mia mbi Theatrin dhe të ardhmen e tij europiane vendosa të rikandidoj për postin e Drejtorit Artistik të Teatrit Kombëtar, duke iu përgjigjur kështu thirrjes së Ministrisë së Kulturës".


/Ora News.tv/