Evazion fiskal e pastrim parash, shpallet në kërkim administratori i “Gega Oil”

Evazion fiskal e pastrim parash, shpallet në kërkim administratori i

Policia shpall në kërkim administratorin e kompanisë “Gega Oil”, Paulin Gega për akuzën e evazionit fiskal dhe pastrim parash.  

Gega rezulton të jetë larguar nga vendi një ditë më parë, (9 gusht 2019) ndërsa prokuroria ka nxjerrë një urdhër ndalimi për të.

Kontrolli i magazinave

Policia e Shtetit thotë se në bashkëpunim me organet tatimore, ka ndjekur veprimtarinë e tatimpaguesit « Gen Klaudis ShA », në vijim të zbatimit të Planit të Masave  kundër Informalitetit dhe Evazionit Fiskal në sektorët e Turizmit, Ndërtimit, Hidrokarbureve, Tregtimit të mallrave me akcizë, dhe ka ushtruar kontroll në datën  7 gusht 2019. 

Sipas njoftimit të sotëm (10 gusht) të uniformave blu, "nga kontrolli tatimor janë gjetur pompa, të cilat në shkelje të ligjit, funksiononin në regjim manual dhe për këtë arsye, është kryer bllokimi i tregtimit të karburantit nga ky subjekt. Menjëherë pas bllokimit, u kryen hetime intensive që çuan në konkluzionin se administratori i kompanisë, shtetasi Paulin Gega, përmes subjektit “Gen Klaudis Sha” që njihet me emrin tregëtar “Gega Oil”, ka kryer evazion fiskal në përmasa të konsiderueshme."

Hetimet e nisura dhe 4 vite me pare

Policia shton se po ky shtetas është proçeduar katër vjet më parë nga Drejtoria e Policisë Shkodër, për veprën penale fshehje e të ardhurave.  

Paulin Gega është shpallur në kerkim për veprat penale "Fshehja e të ardhurave" ,  "Ndryshimi në aparatet matëse" dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale". Pas veprimeve të saj hetimore, Policia e Shtetit i  referoi në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, materialet në ngarkim të shtetasit Paulin Gega dhe kjo e fundit  nxorri urdhër ndalimin. 

Reagon Paulin Gega

Në një reagim Paulin Gega deklaron se është me pushime verore në Greqi të cilat i ka nisur më 9 gusht.

Gega thotë se pas kontrollit në magazinën që ndodhet në Vrinë të Durrësit aktiviteti është bllokuar për disa orë.

Ai mohon që kompania e tij të ketë kryer shkelje apo kundravajtje penale.

"kompania jonë nuk ka kryer asnjë shkelje apo kundravajtje penale as ne aspektin evaziv apo te te ashtuquajtures Fshehje e te ardhurave apo te pasurise."



EMISIONET