Shoferi humb kontrollin e mjetit dhe përplaset me murin, plagoset pasagjeri

Shoferi humb kontrollin e mjetit dhe përplaset me murin, plagoset pasagjeri

Një aksident i rëndë rrugor që mund të kishte shkaktuar pasoja të rënda, u shënua në hyrje të Shkodrës, ku i plagosur mbeti një shtetas.

Automjeti tip Benz ka qenë duke hyrë në qytet, kur drejtuesi 54 vjeçar Muhamet Mehaj ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një mur rrethues, të një subjekti. Për disa metra mjeti ka ecur duke u përplasur me murin, ç’ka ka sjellë si pasojë e goditjes së fortë, plagosjen e pasagjerit, shtetasit 23 vjeçar Gjovani Vocaj.

Të dy shtetasit janë dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës, ku ndodhen nën kujdesin e bluzave të bardha. Mësohet se me plagë të shumta është pasagjeri, i cili ka pësuar edhe fraktura në disa pjesë të trupit thonë mjekët, megjithatë pa rrezik për jetën.

Grupi hetimor mbërriti në vendngjarje dhe nisi punën për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ku dyshimet e para lidhen me tejkalim të shpejtësisë. Kjo ka bërë që mjeti të përplaset fuqishëm me murin rrethues, e nga goditja të marrë dëmtime të shumta që kanë sjellë edhe plagosjen e pasagjerit.

Aksidenti mund të kishte rezultuar edhe me fatal pasi në zonë, fare pranë kanë qenë edhe kalimtarë të rastit, që fatmirësisht i shpëtuan goditjes. Veprimet e mëtejshme i kanë kaluar prokurorisë pranë gjykatës së shkallës së parë Shkodër.


EMISIONET