Dënimi që iu shqiptua të dënuarve të rastit të Kumanovës, nxiti pakënaqësi te familjarët dhe qytetarët, të cilët sot në shenjë revolte protestuan para Gjykatës Themelore “Shkupi 1”. Protestuesit marshuan të qetë nga Sheshi “Skenderbeu”, duke kërkuar rigjykim të rastit dhe hetim ndërkombëtar.

"Dënimet arbitrare me 20, 40 vite dhe burg të përjetshëm janë të papranueshme për ne familjarët dhe për të gjithë botën demokratike. Kërkojmë që e gjithë ngjarja e 9-10 majit të hetohet dhe procedohet nga ndërkombëtarët" – tha Dashurie Sefaj, Këshilli i Familjarëve të të Dënuarve.

10 nga pjesëtarët e grupit të Kumanovës dhe 8 pjesëtarë të policisë gjetën vdekjen në lagjen e trimave, në mëngjesin e 9-10 majit. Për këtë ngjarje, u dënuan me burg 34 persona, 8 prej të cilëve me burg të përjetshëm, ndërsa 4 persona tjerë të dyshuar, u lëshuan në mungesë të provave. Ministri i Drejtësisë Bilent Saliji dhe ai i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, kanë thënë se për të gjitha rastet që dyshohet se janë të iniciuara politikisht, do të ketë hetim ndërkombëtarë./Alsat M/

/Ora News.tv/