Shkup, dënohet me 6 vjet burg ish-ministrja e brendshme Gordana Jankullovska

Shkup, dënohet me 6 vjet burg ish-ministrja e brendshme Gordana

Gjykata penale e Shkupit dënoi me 6 vjet burg ish-ministren së punëve të brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankullovska. Ajo u akuzua për blerjen e  veturës së tipit Mercedes me vlerë 600 mijë euro.

Vendimi u mor nga këshilli gjyqësor prej pesë anëtarëve të kryesuar nga gjykatësja Dobrilla Kacarska.

Rasti u zbulua me publikimin e skandalit të përgjimeve para tre vjetësh.

Në bisedat telefonike, mes tjerësh dëgjoheshin ish-minstrja e rendit dhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski duke biseduar për hollësitë se çka duhej të përmbajë vetura Mercedes S 600 Guard, e blinduar, që do të përdorej për nevojat zyrtare dhe private të zotit Gruevski.

Në këtë proces qe favorizuar një kompani maqedonase, për ta sjellë në Shkup makinën nga prodhuesi gjerman. Mercedes Benzi kishte kushtuar 600 mijë euro.

Prokuroria e posaçme, e cila ngriti akuzat kundër zonjës Jankullovska dhe pala mbrojtëse e saj kanë të drejtë për ankesa tek gjykata e shkallës më të lartë, Gjykata e Apelit.

Por, nëse nuk paraqiten ankesa, atëherë vendimi i gjykatës së shkallës së parë hyn në fuqi dhe ish-ministrja duhet ta vuajë dënimin prej gjashtë vjetësh. Ajo nuk ishte e pranishëm në seancën gjyqësore kur u dha verdikti.

Vetëm para tre ditësh, Gjykata e Apelit konfirmoi dënimin me dy vjet të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski të akuzuar për rastin, ndërsa i  uli nga 6 e gjysëm në 4 vjet e gjysëm dënimin për ish ndihmës-ministrin Gjoko Popovski.

Procesi gjyqësor ndaj ish-ministres u desh të ndahej nga ai i dy të parëve për shkak të shtatzanisë së vlerësuar si të vështirë, nëpër të cilën po kalonte Jankullovska.

Ndërkaq, Gjykata Penale duhet të vendosë brenda pak orësh se si të veprojë deri në realizimin e masës së dhënë ndaj Gordana Jankullovskës. A do të mbahet ajo në paraburgim apo arrest shtëpie, ose ndonjë masë më e lëhtë për shkak të faktit, që ajo vetëm para pak muajsh është bërë nënë.

EMISIONET