Shkon në 17 numri i viktimave nga rrëshqitjet në Kaliforni

Shkon në 17 numri i viktimave nga rrëshqitjet në Kaliforni

Qindra punonjës të kërkim-shpëtimit po krehin rrënojat në Kaliforninë e Jugut në kërkim të personave të zhdukur pas rrëshqitjeve masive që vranë 17 veta.

Ndërkohë 28 persona janë raportuar të plagosur në qarkun e Santa Barbaras pas përmbytjeve që tronditën zonën e djegur nga zjarri i muajit të kaluar.

Më shumë se 100 shtëpi u shkatërruan dhe 300 të tjera u dëmtuan. Një punëtor i shpëtimit përshkroi nën lot gjetjen e vajze në pellgun e mbeturinave.

Berkeley Johnson tha se vajza dyvjeçare u dërgua në spital dhe pësoi një dëmtim të legenit të saj.

"Unë nuk e di sesi fëmija mbijetoi," tha zoti Berkeley për gazetën 'Independent' të Santa Barbaras.

Duke folur për shtëpinë e tij në komunitetin e Montecito ai tha: "Pas orësh të tëra shiu shtëpia ishte zhdukur".

Z. Johnson tha se ai dhe gruaja e tij Karen, dëgjuan një fëmijë që qante pasi niveli i ujit nga përmbytjet kishte rënë. Ata arritën të zbrisnin nga çatia e shtëpisë së tyre të përmbytur.

Çifti u bashkua me një zjarrfikës për të gërmuar për fëmijën.

"Ne nxorëm baltë nga goja e saj para se ta dërgonim në spital.Sikur të mos kishim shkuar atje, nuk mendoj se fëmija do të kishte mbijetuar," shtoi ai.

Policia thotë se 17 persona mbeten të zhdukur. Numri i të vdekurve u rrit të mërkurën pasdite pasi u gjetën dy trupa të tjerë.

Më shumë se 50 vetë janë shpëtuar tashmë por shumë vende ende nuk janë të arritshme. Disa rrugë u mbyllën, përfshirë autostradën kryesore 101, të cilën autoritetet thonë se nuk do të rihapen deri të hënën.


EMISIONET