Shkollë e re për fëmijët e Strumës, investim i TAP

Shkollë e re për fëmijët e Strumës, investim i TAP

Kreu i qeverisë Edi Rama, teksa mori pjesë në përurimin e shkollës “7 Dëshmorët” në fshatin Strumë të Rroskovecit, nënvizoi se investime të tilla vijnë si rezultat i negociatave të qeverisë me Gazsjellësin TAP. Kryeministri tha se qeveria ka një program tjetër për transformimin e mëtejshëm të shkollave.

 290 nxënës të shkollës “7 Dëshmorët” në fshatin Strumë të Rroskovecit, do të mësojnë në ambiente moderne të rikonstrutuara falë një investimi me vlerë 567 mijë euro,  të Gazsjellësit Trans Adriatik, TAP.

Në përurimin e ambienteve të reja ishte i pranishëm edhe kreu i qeverisë Edi Rama, i cili tha se ky investim vjen si rezultat i negociatave të qeverisë për gazjellësin.

Rama: “Kjo shkollë edhe një sërë shkollash të tjera, si dhe të tjera vepra infrastrukturore në shërbim të komuniteteve ku kalon gazsjellësi janë rezultat i negociatave të çelura prej nesh, pasi ishte firmosur kontrata nga qeveria e mëparshme, ku kishim trashëguar vetëm 6 milionë euro në formë kontributesh të kompanisë për komunitetin dhe arritëm me negocime jo edhe aq të lehta, por në fund të suksesshme dhe të mirëkuptuara edhe nga pala tjetër ta rrisim këtë fond në mbi 30 milionë.”

Rama theksoi se qeveria ka një program tjetër për transformimin e mëtejshëm të shkollave.

Rama: “Në këtë vit të parë të mandatit do të fokusohemi në aspektet themelore të infrastrukturës kombëtare, si dhe një program tjetër për transformimin e mëtejshëm të shkollave ku ka ende shumë për të bërë. Më vjen shumë mirë që të gjithë fëmijët që takova, duke filluar nga viti i ardhshëm, të gjithë fëmijët e fillores do t’i kenë librat falas”...

Në shkollën “7 Dëshmorët” janë rikonstruktuar rreth 2000 m2 sipërfaqe të brendshme dhe është bërë mobilimi i klasave.

Nxënësit tashmë kanë edhe një oborr prej 2900 m2 që është transformuar në një park të madh rekreativ, duke përfshirë lulishte dhe kënde sportive.

 

EMISIONET