Bardh Spahia me dy gishta në gjykatën e Shkodrës: Zbardhen dëshmitë në sallën e gjyqit

Nga burgu në shtëpi. Ky është vendimi që dha gjykata e shkallës së parë Shkodër për ish deputetin demokrat Bardh Spahia. Masë kjo që nuk u prit aspak mirë nga simpatizantë të PD-së dhe kolegë të tij, që e quajtën vendim politik.

Gjyqi u zhvillua nën masa të rrepta sigurie, ku mbi 70 efektivë dhe forca të ndërhyrjes së shpejtë u angazhuan për sigurinë e perimetrit të gjykatës, aty ku prej orëve të para të mëngjesit u gjenden edhe mbështetës të opozitës, që me pankarta e thirrje kërkoni lirimin e të arrestuarve.

Në burg me afat 30 ditë u lanë dy punonjësit e policisë bashkiake Alfred Nikolli dhe Gentian Bytyçi, ndërsa për punonjësin e bujqësisë Adi Garuci dhe Aleks Ndoj arrest shtëpie, si dhe detyrim paraqitje për 17 vjeçarin Orlando Thepi.

RTV Ora zbardhi deklarimet brenda seancës gjyqësore në Gjykatën e Shkodrës ku prokurori i çështjes Xhevahir Lita deklaroi se: "Më datën 18 qershor është njoftuar policia se persona të paidentifikuar kanë hyrë në KZAZ nr 3 dhe kanë djegur materialet zgjedhore. Është parë dera e prishur, dritaret e e thyera. Bardh Spahia, Nikolla Marku kane qenë me njerëzit në vendin e ngjarjes. Pas kqyrjes së vendit të ngjarjes dhe pasi janë bërë veprimet e para hetimore pasi janë marrë dhe filmimet nga mediat është parë se Bardh Spahia ka kundërshtuar policinë. I dyshuari Spahia ka qenë aktiv dhe është futur në ambientet e shkollës. Policia e ka thirrur me zë për tu ndalur por nuk është ndalur. Në këto kushte policia mendojmë se ka vepruar drejtë me arrestimin e tij sepse ka vepruar në bazë të nentit 253 të Kodit Penal”.

Ish deputeti Spahia shtoi përpara trupës gjykuese të kryesuar nga Tonin Sterkaj se: “Protestuesit kanë vepruar sepse nuk mund të lejojnë që të uzurpojnë një objekt publik pronë e bashkisë Shkodër. Morëm informacion se kishte tensione dhe u drejtuara nga Shkolla për të qetësuar situatën. Materialet zgjedhore ndodheshin në ambiente të pambrojtura dhe të paautorizuara. Ishim futur për të qetësuar njerëzit. Aty kishte persona të paautorizuar. Arrestimi im ka prapaskenë politike. Gjykata duhet ta vlerësojë sipas ligjit dhe fakteve të vërteta”.

Avokati i Spahisë Ivi Kaso parashtroi argumentet e tij: “Pranojmë vetëm faktin që klienti im ka qenë në grumbullimin e njerëzve por për një arsye krejt tjetër dhe legjitime. Jo atë që pretendon prokuroria. Policia ka pasur ngut. Të priste urdhrin e prokurorit. Procedurat për arrestimin është e jashtëligjshme. Nuk kemi të bëjmë me një person me rrezikshmëri për ikje. Personi nga ana tjetër ka qenë në aktivitet politik dhe publik. Cila ka qenë arsyeja qe OPGJ ka vepruar me “kaq ngut”? Po flasim për një përfaqësues të popullit dhe ndërkohë që është arrestuar ka qenë duke i shpjeguar popullit shqiptar arsyet që e kanë çuar në revoltë e protestë. Ai ka qenë duke ushtruar një të drejtë të ligjshme si përfaqësues i popullit dhe funksionar i një partie politike jo vetëm të shkonte të mbështeste bashkinë e Shkodrës por dhe të protestonte kundër uzurpimit të policisë së shtetit."

Në fund u vendos që bazuar mbi faktet dhe nën akuzën për nenin 236 i Kodit Penal, "Kundërshtimi që i bëhet punonjësit të policisë së rendit publik, me qëllim për ta penguar atë për të kryer detyrën sipas ligjit”, ish deputeti u la në arrest shtëpie. Vendimi do të apelohet, ndërsa jashtë gjykate i deleguari i qarkut Flamur Noka hodhi akuza të forta duke e quajtur provokim të Edi Ramës të gjithë këtë, duke shtuar se në 30 qershor zgjedhje nuk do të ketë.

Seanca u zhvillua pa praninë e mediave, por vetëm drejtuesit lokal të PD dhe ish deputetet u lejuan në sallë pas kërkesës që depozitoi kryebashkiakja Voltana Ademi.




EMISIONET