Një grua humbi jetën pasi banesa ku jetonte u përfshi nga flakët në orët e para të mëngjesit të së premtes. 

Ngjarja është shënuar në lagjen “Daniel Matlija” në rrugicën e Koplikëve në qytetin e Shkodrës. Banesa në pronësi të shtetasit I.I u përfshi nga flakët dhe për pasojë gjeti vdekjen nga asfiksija 85 vjeçarja Laje Betja, trupi i së cilës u dërgua në morgun e spitalit rajonal. 

Sipas hetimeve paraprake, ajo ka qenë duke u ngrohur me një rezistencë me korrent, kur janë përhapur flakët, të cilat dogjën plotësisht divanin ku ajo qëndronte. Në momentin e rënies së zjarrit e moshuara ka qenë vetëm dhe fqinjët informojnë se ka pasur probleme me shikimin. 

Vetëm kur kanë parë tymin ata kanë njoftuar shërbimin zjarrfikës, i cili në momentin e ndërhyrjes, konstatoi se ishte shumë vonë, pasi e moshuara kishte ndërruar jetë. Grupi hetimor nisi punën për të zbardhur të plotë këtë ngjarje të rëndë, ndërsa fatmirësisht nga flakët nuk pati probleme në banesat ngjitur.


/Ora News.tv/