Shkodër, dhjetra hektarë tokë kthehen në landfilld mbeturinash

Shkodër, dhjetra hektarë tokë kthehen në landfilld

Pak kush e kishte menduar që 10 vite më parë, kohë kur do të niste ndërtimi i rrugës Shkodër – Han i Hotit, në një territor fushor mes qytetit të Koplikut dhe Bajzës, do të krijohej një gropë që më pas u kthye në një vend-depozitimi mbeturinash. Sot gjendja atje ka dalë jashtë kontrollit dhe tonelatat e mbetjeve dhe inerteve, kanë shkaktuar një masakër mjedisore që përfshin dhjetra dynym toke. E njohur nga banorët si zona e Badres në Koplik të Sipërm, ajo është kthyer për malësorët në tmerrin e vërtetë, për shkak të aromës kundërmuese dhe djegieve të herëpashershme të mbeturinave, që po i rrezikojnë jetën.

Me automjete të ngarkuara ditën dhe natën këtu hidhen mbeturinat e thuajse të gjithë fshatrave të Malësisë së Madhe, ndërsa pushteti vendor dhe inspektoriati i mjedisit, as që duan t’ia dinë për këtë katastrofë që ndodh përpara syve të tyre. Një banor i zonës tregon se situata ka dalë jashtë kontrolli dhe jetesa në shtëpitë e tyre sidomos gjatë verës, bëhet e pamundur.

Kastriot Mustali: "Ky problem ekziston prej 10 vitesh, që kur është shtruar rruga Shkodër-Hani i Hotit. Nuk është normale."

Hanife Curri nuk ka një çati mbi kokë dhe bashkë me bashkëshortin dhe fëmijët ka ndërtuar një kasolle pranë pirgjeve të mbeturinave, ku siguron jetesën duke mbledhur hekur dhe kanaçe.

Hanife Curri: "Mbledhim kanaçe dhe i grumbullojmë për të jetuar dhe mbajtur fëmijët e mi. Nuk kam ndihmë ekonomike. Kam nevojë që të më ndihmojë çdo njeri."

Bashkia e Malësisë së Madhe zyrtarisht nuk pranon të japë një prononcim, por thotë se e ka gjetur në këtë gjendje zonën dhe aktualisht nuk ka fonde për ndërtimin e një landfilld-i.

Arsyet përse mbetjet nuk dërgohen në landfild-in e Bushatit në Shkoder i lidh me pamundësinë ekonomike dhe largësinë, por pyetja që lind në të tilla raste është: A kanë më prioritet financat apo jeta e qytetareve? Këtë përgjigje duhet ta japë kjo bashki dhe inspektoriati i mjedisit, që paguhet për të tilla problematika që sot i kanë dalë jashtë kontrolli.

EMISIONET