Plumba biznesmenit në Shkodër, autori në kërkim

Një konflikt i çastit për motive ende të panjohura përshkalëzoi në plagosjen me armë zjarri të një biznesmeni ndërtimi në Shkodër. I plagosuri është identifikuar si Xhevat Vataksi, ndërsa policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim një 43 vjeçar si autor të dyshuar. Policia pritet të marrë në pyetje biznesmenin për të zbardhur motivet e ngjarjes.

Një biznesmen ndërtimi mbeti i plagosur me armë zjarri në qytetin e Shkodrës, mesditën e së shtunës.

Objektiv i sulmit ishte Xhevat Vataksi 60 vjeç, ndërsa ngjarja u regjistrua rreth orës 12:30 minuta në fshatin Darragjat, aty ku ndahet kufiri mes njësisë administrative Berdicë dhe Dajç.

Ai u dërgua me urgjencë me spitalin rajonal të Shkodrës, ku i është nënshtruar një operacioni në këmbë, aty ku edhe u godit nga plumbi.

Fatmirësisht sipas bluzave të bardha, 60 vjeçari ndodhet jashtë rreziku për jetën.

Policia pas veprimeve të para hetimore në vendngjarje thotë se bënë të mundur identifikimin e autorit, që rezulton të jetë 43 vjeçari me inicialet A.L banues në Berdicë.

Nga grupi hetimor mësohet se mes dy shtetasve ka patur një konflikt të çastit, që ka degjeneruar në përdorimin e armës.

Autori i dyshuar është shpallur në kërkim dhe po punohet nga ana e uniformave blu për arrestimin e tij.

Në vendngjarje grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Shkodër po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, ku në pyetje po merren dëshmitarë, si dhe të afërm të këtyre shtetasve.

Gjithashtu në pyetje do të merret edhe vetë biznesmeni Vataksi, i cili do të japë versionin e tij për ngjarjen.

Plagosja ka ndodhur në një moment ku në zonën Shkodër-Velipojë forca të shumta policie patrullonin rrugën, pasi në pikën turistike një pjesë e Ministrave të kabinetit qeveritar janë me aktivitete politike.



Kliko ketu per te pare FOTOGALERINE


EMISIONET