Shkëmbimet tregtare Shqipëri-Kosovë, ekspertët: Të hiqen kostot e kufirit

Shkëmbimet tregtare Shqipëri-Kosovë, ekspertët: Të

Marrëveshja Shqipëri-Kosovë për shkëmbimet e lira tregtare mes dy vendeve duhet të shoqërohet me unifikim të kostove dhe procedurave për bizneset, por ajo që është më e rëndësishme, theksojnë eksperët, është heqja e barrierave tarifore dhe administrative. Për ekspertin Zef Preçi, për të arritur në bashkimin doganor, të dyja vendet duhet të kenë akses në Qendrat respektive të Bizneseve.

Zef Preçi: “Unifikimi i regjistrimeve, që nga aksesi në Qendrën Kombëtare të Biznesit, laboratorët, standardet e produkteve të ndryshme, në mënyrë që të mos krijojmë luftra si ajo e patates, në mënyrë që të kemi një situatë që fiton ekonomia e Kosovës, fiton ekonomia e Shqipërisë, optizimizohen kostot dhe natyrshëm shtohet prodhimi vendas. Akcizat dhe TVSH-ja që paguajnë mallrat që importon Kosova të jenë të njëjta me mallrat që prodhohen në Shqipëri, do të thotë që të kemi një unifikim të kostove”    

Ndërsa për kreun e Qendrës së Eksporteve Shqiptare, Alban Zusi, heqja e kostove doganore do të shoqërohet edhe me ulje të çmimeve të produkteve, por sipas tij, në këtë proces nuk duhet të përfshihen vetëm bizneset e mëdha.

Alban Zusi: “Vetëm te sektori i fruta-perimeve, vetëm kostot e shërbimit doganor shkojnë minimalisht 210 euro për çdo transaksion. Në qoftë se ne eleminojmë kostot e transaksionit në pikat kufitare, koston kohore që ndodh atje dhe i krijojmë mundësi biznesve të vogla dhe të mesme që të komunikojnë lirshëm pa këto lloj barrierash, unë jam i bindur që të paktën kostoja e mallrave që kalojnë kufijtë tanë do të ulet me 10-15%” 

Produktet bujqësore janë fusha e parë e shkëmbimeve tregtare, por ekspertët thonë mes dy vendeve me interes mund të shikohet edhe sektori i energjisë. 

Alban Zusi: “Përveç produkteve bujqësore dhe ushqimore, kemi edhe përpunimin e drurit ku Kosova është më e avancuar se sa ne, ndërkohë që ne kemi materialet e ndërtimit”

Zef Preçi: “Ne mund të eksportojmë energji në kohën e dimrit se sa e shesim me çmim të ulët dhe njëkohësisht të importojmë në kohën e verës kur Kosova e prodhon me çmim të ulët, deri te huamarrjet e përbashkëta për të ndërtuar një hidrocentral të madh mbi lumin Drin, që të shpëtojmë të gjithë Nënshkodrën nga përmbytjet”

Përtej efekteve në ekonomitë e dy vendeve, ekspertët vlerësojnë se shkëmbimet tregtare mes dy vendeve do të bëjnë të mundur që tregu i madh i përbashkët Shqipëri-Kosovë, të jetë edhe më konkurues në rajon. 

EMISIONET