‘Shkëlqimi’ i mungesave në partinë e Patozit

‘Shkëlqimi’ i mungesave në partinë e Patozit

Themelimi i partisë së re Bindja Demokratike i ngjante lëshimit të një siluri nga një nëndetëse që kish ‘fjetur’ thellësive për dy vjet. Le të themi një nëndetëse jo luftarake, por që është në një mision zbulues për të mbledhur informacion dhe për të vëzhguar, duke e bërë vetëm rrallë të dukshme praninë e vet. Një mjet i një ‘pale të tretë’ në një luftë që mbizotërohet nga dy ‘fuqi të mëdha’.

Themelimi, zyrtarizimi, regjistrimi në gjykatë dhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e bëjnë tashmë ‘Bindjen’ nëndetësen e një pale që e ka vënë re ‘tërheqjen’ e një prej fuqive nga teatri i luftës konvencionale politike dhe ka vendosur, më në fund, të kthehet nga zbuluese në luftarake.

Prania e saj është tashmë e dukshme dhe e tillë do të jetë edhe në vijim, derikur vendi të takohet me një palë zgjedhje të njëmendta ku të gjitha palët janë në garë dhe të gjithë mund të provojnë, përtej retorikës politike, se sa vlejnë dhe sa mbështetje kanë.

Në këtë prani, na duhet të identifikojmë disa mungesa dhe të mundohemi t’i analizojmë.

Ku është, për shembull, Jozefina Topalli, ish-deputete, ish-kryetare parlamenti, ish-qëndrestare, një prej figurave të forta të Partisë Demokratike të Sali Berishës? Ditëve të fundit ajo gjindet në Facebook, sa duke uruar Pashkën katolike aq duke na njatjetuar me foto familjare ku nuk mungonte as qeni. Jozefina është e sertë ‘ku nuk ban ma’, për të qenë e bindur për Bindjen, por armiqësia e saj me Bashën nuk është dukur të jetë më e butë.

Ku është Arben Imami, një profil kontrovers, i cili pat provuar ‘revolucionin’ në krah të Berishës dhe ‘anti-revolucionin’ kundër tij, për t’u bërë ministër Shteti në qeverinë socialiste të Nanos dhe më pas bashkëautor i Kushtetutës së vitit 1998, po nën ‘regjimin’ e majtë? Imami, si dhjetorist ka vendin e vet në historinë e së djathtës dhe të vendit, që i takon edhe për një gjë tjetër: një meritë që nuk i është njohur, botimin e një kolane me literaturë politiko-filozofike në kohën kur ishte ministër i Berishës (sa ministra merren me libra dhe jo ekskluzivisht me tendera në Shqipëri?!).

Ku është Besnik Mustafaj, ambasador në Paris, ish-ministër i Jashtëm, shkrimtar dhe një prej kritizerëve të Bashës, që në ditën 1 të humbjes në zgjedhjet e vitit 2017? I pari që artikuloi nevojën për dorëheqje të shefit demokrat dhe që ka shpërndarë kritika dhe analiza të idhta, por me common sense për lidershipin demokrat gjatë këtyre dy viteve.

Ku janë ata, që në fillim u shfaqën të gjithë bashkë, Ridvan Bode, Genc Ruli, Majlinda Bregu e ndonjë tjetër?

Ku është, qoftë edhe Preç Zogaj, që thotë se e ka shkëshilluar djegien e mandateve dhe tani është bërë thuajse apolitik, duke lëpirë plagët e kaq shumë betejave politike, ku tjetër, nën ullirin aspak të paqtë të ‘Institutit Pashko’ të Henri Çilit?

Mungesat dhe shkëlqimi i tyre, brilant apo i errët qoftë, zbulon diçka për natyrën e nëndetëses që, tashmë ka dalë e plotë mbi ujë, si një reptil nga e shkuara: ‘hemorragjia’ e së djathtës e ndodhur pas ‘katastrofës’ së listave të 2017, nuk ka mbërritur deri te ‘Bindja’. Dhe kjo për disa aryse, më kryesorja prej të cilave është se, të gjithë personazhet e përmendura kanë ‘deliret’ e tyre, të cilat me sa duket mund t’i kontrollonte vetëm Sali Berisha. Ata nuk e shohin dot veten, as nën Patozin dhe as nën Hajdarin. Edhe një parti e tipit primus inter pares, sipas parimit të kalorësve të mbledhur rreth mbretit Artur, nuk ka mundur t’i kënaqë.

Ky fakt kryen atentatin e parë kundër partisë së re, sepse zbulon atë se nuk ka frymë ngjizjeje, nuk ka bashkësi dhe as unitet. Mungesa e frymës, në një parti që pretendon se krijohet pikërisht për të mbushur atë boshllëk që lë ‘pazotësia’ e PD për të krijuar frymë, është domethënëse për fillimin dhe fundin e saj.

Mungesat dëshmojnë edhe një gjë tjetër, që është stërthënë por nuk ka nxënë, edhe për faktin se asnjë ‘poligraf’ politik nuk mund të japë provën e asaj se çfarë mendon apo pse e kryen një veprim dikush. Në këtë rast del në dritë dyshimi se kritikat ndaj lidershipit të PD kanë qenë të natyrës personale (humbja e mandatit, mospëlqimi i kryetarit të ri etj). Pa prova jemi, por i shkon analizës pandehma se, ndonjë prej të përmendurve më lart është tërhequr nga partia e re pse nuk ka dashur të dëmtojë Partinë Demokratike dhe të djathtën.

Astrit Patozit i mbeten kësisoj personazhe të dorës së dytë dhe të tretë për të ndërtuar një formacion beteje. Tani që nëndetësja ka dalë mbi ujë pandehmat nuk pinë më ujë dhe lufta nuk bëhet me ‘sikur’ dhe as me kritika. “Marinarët” e nëdetëses ‘Bindja’ duhet të na tregojnë me prova, dhe me anë të kontrastit, se pse ata janë më të mirë se Basha dhe se PD.

Sepse, që nuk janë PD, kjo tashmë është një gjë që dihet.

Shkrimi u publikua ne politiko.al


(Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të RTV Ora)




EMISIONET