Vettingu, pasuria "djeg" gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese Fatmir Hoxha

Vettingu, pasuria "djeg" gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese Fatmir

Një tjetër gjyqtar i gjykatës Kushtetuese ka ngecur në 'rrjetën' e vetingut. Fatmir Hoxha u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për shkak se nuk mund të justifikonte pasurinë e tij. Në seancën tjetër, gjyqtarja e Tiranës Manjola Xhaxho nuk rezultoi me asnjë problem nga verifikimi i trupës së vettingut dhe pritet që në vendimin e datës 14 maj, ajo të konfirmohet në detyrë.

Komisioni i Pavarur  i Kualifikimit shkarkoi nga detyra me shumicë votash gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Hoxha. Në seancën dëgjimore, trupa e vettingut konstatoi se gjyqtari nuk justifikonte një pjesë të financimit të blerjes së apartamentit të tij.

Xhensila Pine: Trupa gjykuese, pasi mori në shqyrtim të gjithë dokumentacionin e dërguar nga institucionet e rivlerësimit, kreu një proces të mirëfilltë kontrolli dhe rivlerësimi, një hetim administrativ të thellë dhe të pavarur në kuadër të procesit të rivlerësimit. Dëgjoi pretendimet e përfaqësuesit ligjor në seancën e datës 7 maj, të dhëna në emër të subjektit të rivlerësimit, bazuar në pikën 6 të nenit 55 të ligjit për 'rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve' e konsideron të përfunduar seancën dëgjimore dhe për rrjedhojë procesin e rivlerësimit për Fatmir Hoxhën.  Në përfundim të procesit të rivlerësimit, trupa gjykuese vendos me shumicë vote shkarkimin e subjektit të rivlerësimit Fatmir Hoxha, gjyqtar pranë Gjyaktës Kushtetuese.

Ndërkohë që  vetë gjyqtari paraqiti një video regjistrim nga dasma e tij për të justifikuar këtë pasuri. Pas shkarkimit të Fatmir Hoxhës, Gjyakata Kushtetuese ka mbetur me 3 gjyqtarë, ku ndër ta, janë edhe dy anëtarë për të kaluar në vetting. Jashtë kamerave, avokati i gjyqtarit tha se ky vendim do të ankimohet pranë Kolegjit të Apelimit.

Më herët, Komisioni i Pavarur i Kulaifikimit nuk gjeti asnjë problem për sa i përket gjyqtares së shkallës së parë të Gjykatës së Tiranës, Manjola Xhaxho.

Për gjyqtaren u zhvillua hetim i thelluar për të tre komponentët e vetingut: pasuria, integriteti i figurës dhe kontrolli i aftësisë profesionale. Për sa  i përket pasurisë, u konstatua se gjyqtarja Xaxho nuk ka bërë deklarim të rremë dhe justifikon pasurinë ndërkohë që banonte në një apartament 2+1 të cilën ajo ia ka dhuruar prindërve të saj. Edhe për sa i përket aftësive profesionale dhe integritetit të figurës, Xhaxho rezulton e përshtatshme për të vazhduar funksionin e saj.

Ndaj gjyqtares ishin paraqitur 2 ankesa në KLD dhe një pranë Komisionit të pavarur të Kualifikimit por ato janë arkivuar pas verifikimeve të mëtejshme. Vendimi për Manjola Xhaxhon do të jepet të hënën më 14 maj në orën 09:30. Pas seancës dëgjimore, pritet që gjyqtarja Manjola Xhaxho, e cila është kandidate për Këshillin e Lartë Gjyqësor, ta kalojë provën e vettingut.

Gjyqtari Hoxha 'mbrohet' me kasetën e dasmës

Avokati mbrojtës i gjyqtarit Hoxha,  Julian Mërtiri, në seancën dëgjimore  argumentoi se gjyqtari ka 27 vite punë  dhe se për blerjen e këtij apartamenti, krahas kursimeve te mbledhura, kishte përdorur edhe një kredi 5 milion lekë si dhe një borxh të marrë  nga kunati në vlerën e 28 mijë eurove. 

Avokati bëri një analizë të hollë të pasurisë së gjyqtarit duke përmendur kështu edhe dhuratat nga dasma e tij në vitin 2002, për çka dorëzoi edhe videon e martesës me pamjet kur të ftuarit dorëzojnë paratë. 

Sipas avokatit, pasuria e gjyqtarit është tërësisht e justifikuar, ndaj ai kërkoi rikonfirmimin e tij në detyrë.

Julian Mertiri: Shuma është e justifikueshme. Hoxha nga 2011 është emëruar në Gjykatën Kushtetuese dhe për këtë qëllim është transferuar nga qyteti i Shkodrës, ku ka pasur një tjetër banesë të cilën e ka shitur bashkë me orenditë përkatëse dhe kjo shumë i përket orendive. 



EMISIONET