Shkarkohen nga detyra 5 punonjës të ALUIZNI-t Durrës

Shkarkohen nga detyra 5 punonjës të ALUIZNI-t Durrës

Koordinatorja e antikorrupsionit, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj njoftoi se task-forca ka shkarkuar nga detyra 5 punonjës të drejtorisë rajonale në Durrës për shkak se kanë legalizuar prona që nuk eksiztojnë ose me një sipërfaqe më të madhe se sa realisht janë.

Këto shkelje sipas ministres Gjonaj kanë edhe elementë të veprës penale.

Pas këtyre veprimeve, task-forca antikorrupsion ka anulluar të gjitha legalizimet që janë kryer në shkelje.

Deklarata e ministres Etilda Gjonaj

Veprimtaria e Task Forcës Antikorrupsion dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese, për identifikimin dhe dokumentimin e të gjitha akteve korruptive dhe shkeljeve ligjore të kryera nga punonjësit e administratës me synim përfitimin e paligjshëm është intensifikuar gjatë kësaj jave.

Bazuar në denoncimet e qytetarëve në platformën e bashkëqeverisjes, shqiperiaqeduam.al, Task Forca Antikorrupsion ka realizuar inspektime dhe kontrolle në disa institucione si:

  • ALUIZNI Durrës;
  • ALUIZNI Kavajë;
  • Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Dega Tiranë.

Grupet e kontrollit në raportet përfundimtare kanë rekomanduar 26 masa disiplinore, prej të cilave 5 largime nga puna. Në personat e shkarkuar nga pozicioni janë:

3 përgjegjës sektori dhe 2 specialistë pranë Drejtorisë Rajonale ALUIZNI Durrës

Nga kontrollet e bëra dhe gjetjet e tyre ka rezultuar se në disa raste shkeljet e kryera nga punonjësit e administratës kanë elemente të veprave penale. Në këto kushte nga ana e Task Forcës Antikorrupsion janë kryer kallëzime penale në Prokurori për 6 punonjës. Përkatësisht për:

Ish- Drejtorin e Drejtorisë Rajonale ALUIZNI Durrës,  3 përgjegjës sektori dhe 2 specialistë, të këtij institucioni, të cilët dyshohen të kenë kryer në bashkëpunim veprën penale të shpërdorimit të detyrës, duke legalizuar objekte në mos respektim të procedurave për rastet e legalizimeve.

Konkretisht rezulton se këta punonjës kanë legalizuar objekte të cilat nuk kanë ekzistuar, ose janë legalizuar në sipërfaqe më të mëdha, nga gjëndja e faktit.

Duke patur parasysh gjetjet e sipërpërmendura, është proceduar pa asnjë vonesë për rivendosjen e së drejtës të cënuar nëpërmjet anullimit të pasojave të këtyre veprimeve. Bazuar në rekomandimin e Task Forces Antikorrupsion, është shfuqizuar leja e legalizimit nga autoriteti që ka lëshuar aktin, e dhënë në kundërshtim të ligjit si dhe është lëshuar urdhër kufizimi të pasurisë me qëllim mbrojtjen e pronës.

Bashkëpunimi institucional mes Task Forcës Antikorrupsion, Prokurorisë, Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera ka vijuar të jetë në nivele shumë të mira, dëshmi e vullnetit të plotë strukturave shtetërore për të luftuar këtë fenomen që minon themelet e shtetit ligjor, dobëson demokracinë dhe dëmton zhvillimin ekonomik të vendit.

Nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve pranë Ministrit të Drejtësisë janë dërguar për ndjekje penale Drejtori, një përgjegjëse sektori dhe një punonjës i IEVP Krujë si dhe dy punonjës policie të Burgut të Vaqarrit për shpërdorim detyre.

Ndërkohë që është larguar nga detyra, Specialistja në Sektorin e Regjistrimit dhe Hartografisë në Zyrën Vendore të Regjitstrimit të Pasurive të Paluajtshme Devoll, e cila është denoncuar nga një qytetar në media, për arsye se i kishte marrë para në mënyrë të paligjshme për një shërbim publik.

EMISIONET