Për shkak të punës, 251 gazetarë janë në burg në të gjithë botën

Për shkak të punës, 251 gazetarë janë në burg

Të paktën 251 gazetarë janë në burg në mbarë botën për shkak të punës së tyre. Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), "regjimet autoritare po përdorin burgimin gjithnjë e më shumë për të heshtur kritikët. Anketa vjetore e gazetarëve në burg, e botuar më 13 dhjetor nga mbikëqyrësi i mediave në Nju Jork, gjeti se Turqia, Kina dhe Egjipti kryesojnë listën e vendeve që kanë burgosur mbi gjysmën e gazetarëve të evidentuar në raport.

Dokumenti i organizatës përfshin vetëm gazetarët që mbahen në paraburgim, jo edhe që janë dënuar nga gjykata, ata që janë liruar gjatë vitit ose ata që rezultojnë ende të zhdukur apo mbahen robër nga grupe jo-shtetërore.

Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Joel Simon, thotë se "sulmi i tmerrshëm global ndaj gazetarëve që është intensifikuar në vitet e fundit e nuk po tregon shenja zmbrapsjeje. Tiranët që përdorin burgimin për të imponuar censurën nuk mund të lejohen më."

Gazetarët ishin dhe personazhi i vitit për revistën amerikane “Time”, që ngriti zërin kundër vrasjes, kërcënimit dhe frikësimit të gazetarëve. Në kopertinën e fundit për vitin 2018 revista shfaq gazetarin saudit Jamal Kahshoggi të vrarë në Turqi.

Për të tretin vit radhazi, Turqia ka numrin më të lartë të gazetarëve në burg. Të paktën 68 veta akuzohen për veprime kundër rendit kushtetues. Nga 251 gazetarë të burgosur në gjithë botën, 70 për qind e tyre akuzohen për veprime kundër rendit kushtetues, ndërsa 28 për qind për shkak të përhapjes së “lajmeve të rreme”.

Raporti nënvizon edhe valën e persekutimit të gazetarëve nga autoritetet e Kinës, sidomos ndaj minoritetit etnik ujgur në rajonin veriperëndimor të Xinjiang-ut, ku të paktën 10 gazetarë mbahen në paraburgim pa akuzë.

EMISIONET