Dy pilotë me eksperiencë po fluturonin në lartësi të madhe kur vunë re në qiell një objekt misterioz me drita të forta.

Piloti i kompanisë ajrore British Airways, në linjën Montreal-Londër, kontaktoi kullën e trafikut ajror në qytetin irlandez Shannon.

Ai u tha mediave lokale se kishte parë drita të forta në qiell dhe se objekti misterioz iu afrua nga ana e majtë, dhe më pas u drejtua në veri.

Meqenëse objekti po lëvizte shumë shpejt, ai fillimisht mendonte se ishte një stërvitje ushtarake, por kontrolli i fluturimit e njoftoi se nuk ishte raportuar për aktivitete të tilla.

Për t’i bërë gjërat akoma më të çuditshme, të njëjtën ngjarje në qiell e raportoi një pilot tjetër, i cili kishte përvojë të ngjashme.

Ai tha se kishte parë një objekt, i cili gjithashtu mbulonte qiellin me dritë dhe kishte hyrë nga universi në atmosferë. Gjithashtu, objekti u zhduk brenda pak sekondave nga pamja e tij.

Pamjet, të cilat të japin përshtypjen se në qiell është shfaqur një anije jashtëtokësore apo disk fluturues, u filmuan të premten e kaluar në bregun jugperëndimor të Irlandës.

Ndërkohë, zyrtarët irlandezë thanë se janë duke hetuar rastin.

/Ora News.tv/