Shërbimet, hapet në kombinat Qendra e Integruar ADISA

Shërbimet, hapet në kombinat Qendra e Integruar ADISA

Qytetarët e Kombinatit do t’i marrin më shpejt dhe më afër shërbimet e kërkuara nga institucionet. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe me mbështetjen financiare të Bankës Botërore, ka hapur Qendrën e Integruar ADISA në zonën e Kombinatit, e cila ofron mbi 368 shërbime publike, përfshirë edhe shërbimet vendore të bashkisë, përmes dy sporteleve të dedikuara.

Qendra e integruar Adisa do të ofrojë shërbimet e saj tashmë edhe në zonën e Kombinatit. 

Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe me mbështetjen financiare të Bankës Botërore ka bërë të mundur ofrimin e 368 shërbimeve publike nga kjo qendër për të gjithë qytetarët e kësaj zone. 

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi mjediset e reja dhe tha se vëmendja e pushtetit lokal e qendror është për të çuar shërbimin tek qytetarët.

Erion Veliaj: “Ky bashkëpunim mes qeverisë qendrore me qeverisë lokale e sheh rezultatin në këtë hapësirë. Dilema është: shkojnë njerëzit te shërbimet, apo shërbimet te njerëzit? Besoj sot jemi përgjigjur qartë: shkojnë shërbimet ku janë njerëzit, shkon shteti te njerëzit, shkon qeveria, bashkia, deputetët, dhe të gjitha institucionet e tjera që kanë shërbime konkrete dhe të prekshme për qytetarët. Me zgjidhjen e kësaj dileme kemi një hapësirë të transformuar për Njësinë 6."

Një nga projektet e Bashkisë së Tiranës që do të marrë jetë këtë katërvjeçar është edhe krijimi i Tiranës policentrike, ku përfshihet qendra e Kombinatit. Për këtë, Bashkia e Tiranës do të zhvillojë një konkurs për sheshin “Garibaldi”.

Erion Veliaj: "Me gjithë këto ndërtesa të trashëgimisë industriale shqiptare, pavarësisht se si rrodhën ngjarjet me ndërrimin e sistemit, duam që ta kthejmë pjesën e Kombinatit në një pjesë jo vetëm që të ruhet, por të restaurohet. Ata që i kanë zënë në vitet e fundit këto ndërtesa, do të trajtohen në një mënyrë sociale, pra o me një bonus qiraje, o me kredi të butë, ose me një banesë sociale. Duhet që ky shesh që është, le të themi, simbolikë e asaj që kemi si vizion i Tiranës policentrike, të materializohet. Do të kemi tre konkurse: Kinostudio, Kombinat dhe Laprakë."

Duke vlerësuar bashkëpunimin me qeverinë shqiptare për mbështetjen e vazhdueshme në këto projekte, Veliaj garantoi se ndryshimi do të vijojë në çdo zonë të Tiranës.

EMISIONET