Shefi i NATO-s: FSK nuk duhet të patrullojë në veri të vendit

Shefi i NATO-s: FSK nuk duhet të patrullojë në veri të

Kosova ishte tema që përmbylli takimin dyditor që aleatët e NATO-s organizuan të enjten në Bruksel.  

Në konferencën për shtyp, shefi i aleancës ushtarake, Jens Stoltenberg, përsëriti edhe një herë qëndrimin rreth formimit të pakonsultuar të Ushtrisë Kombëtare të Kosovës, dhe pasojat që ky vendim do të sjellë në të ardhmen.

Stoltenberg: Brenda pranverës mendoj se do të shqyrtojmë shkallën e angazhimit tonë me Forcën e Sigurisë së Kosovës. Misioni i KFOR do të qëndrojë i pandryshuar, ndërsa prezenca e njësisë tonë operative do të diskutohet. Unë vazhdoj t'i qëndroj mendimit se FSK nuk duhet të patrullojë në veri të vendit, dhe se autoritetet e vendit duhet të respektojnë zotimet e bëra më parë.

Stoltenberg kujtoi zotimin e presidentit Hashim Thaçi në vitin 2013, kur në rolin e kreut të qeverisë kishte pohuar përmes një letërkëmbimi me sekretarin e atëhershëm të NATO, Anders Rasmusen, se FSK nuk do të shkonte në veri pa pëlqimin e komandantit të KFOR.

Një ditë më parë, ai tha se këto qëndrime ia kishte shprehur edhe kryeministrit Ramush Haradinaj, sipas të cilit ushtria e vendit mund të veprojë pa dallim në jug dhe në veri të vendit.

Kuvendi i Kosovës miratoi dhjetorin e kaluar ligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Transformimi i saj do të zgjatë për një periudhë 10-vjeçare në të cilën pritet dyfishimi i numrit aktual prej 2,500 pjesëtarësh të rregullt dhe 800 rezervistësh.





EMISIONET