Në lidhje me hetimet për vrasjen e dyfishtë në Tiranë, Kontrolli i Brendshëm në polici nuk ka nxjerrë përgjegjës asnjë efektiv që ka trajtuar denoncimet e vajzës dhe të djalit. Në një reagim zyrtar, Ministria e Brendshme thotë se me rastin e Çunit dhe Matës është marrë prokuroria, e cila nuk i delegoi policisë veprime të tjera shtesë.

Efektivët e policisë që ka trajtuar rastin e kallëzimit të 19-vjeçares që u vra në Tiranë, kanë vepruar sipas procedurave, ndërsa prokuroria i ka vijuar vetë hetimet. Kjo ishte përgjigjja zyrtare e Shërbimit për Çeshtjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, në lidhje me ngjarjen e rënë të 8 qershorit, ku 31-vjeçari Xhafer Mata, qëlloi për vdekje 19-vjeçaren Xhuljeta Çuni dhe më pas vrau veten.

Nga të gjitha verifikimet e kryera ka rezultuar se Policia ka marrë kallëzim në datën 7 maj 2018 nga Xhuljeta Çuni për përndjekje.

Materialet u referuan në Prokurorinë e Tiranës dhe pas vlerësimit të kallëzimit nga Prokuroria është bërë regjistrimi i procedimit penal, për të vijuar më pas me hetimin. Pas kallëzimit, Prokuroria nuk i ka deleguar veprime të tjera shtesë Policisë, duke vijuar vetë me veprimet hetimore.

Policia e Shtetit thotë se nuk ka marrë asnjë ankesë tjetër apo t'i jetë bërë prezent ndonjë shqetësim nga 19-vjeçarja, pas kallëzimit të 7 majit.

Nga verifikimet e kryera nga SHÇBA dhe analizimi i dokumentacionit të administruar, nuk rezulton se punonjësit e Policisë që kanë trajtuar ngjarjen të kenë konsumuar elementë të ndonjë vepre penale, duke shpërdoruar detyrën.

/Ora News.tv/